Presidenca irlandeze dhe zgjerimi i BE-së: Maqedonia e Veriut edhe këtë herë pa prioritet të veçantë

Programi i Presidencës Irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian për vitin 2026 bazohet në tri prioritete kryesore: konkurrueshmërinë, vlerat dhe sigurinë, të cilat paraqiten si shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet veprimi i Bashkimit Evropian gjatë kësaj periudhe. Në të njëjtin kuadër, një vend të rëndësishëm zë edhe zgjerimi i BE-së, por Maqedonia e Veriut nuk përmendet në veçanti si ndonjë prioritet i veçantë, shkruan Portalb.mk.

Në drejtim të zgjerimit, vëmendje më e madhe u jepet vendeve që janë më afër fazës përfundimtare të negociatave, si Mali i Zi, për të cilin synohet përmbyllja e procesit të anëtarësimit, si dhe Shqipëria, për të cilën theksohet nevoja për përparim të konsiderueshëm në negociata. Ndërkohë, Ukraina dhe Moldavia trajtohen në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ku zgjerimi lidhet ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin evropian në kushtet e sfidave të reja ndërkombëtare. Në këtë panoramë, bie në sy se Maqedonia e Veriut nuk përmendet në mënyrë të veçantë si prioritet apo si vend me objektiv konkret për progres të menjëhershëm, gjë që nënkupton se ajo nuk është në qendër të agjendës së kryesimit irlandez, por mbetet pjesë e përgjithshme e procesit të zgjerimit pa theks të posaçëm në këtë fazë.

Në planin ekonomik, konkurrueshmëria vendoset si një nga prioritetet kryesore dhe më urgjente të Bashkimit Evropian. Ajo lidhet drejtpërdrejt me nevojën për rritjen e produktivitetit, forcimin e tregut të brendshëm dhe krijimin e kushteve më të favorshme për bizneset dhe investimet. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka udhërrëfyesi “Një Evropë, Një Treg”, i cili synon eliminimin e barrierave brenda tregut të përbashkët dhe përshpejtimin e integrimit ekonomik. Po ashtu, theks i veçantë i jepet thjeshtimit të rregullave, zhvillimit të inovacionit, digjitalizimit, inteligjencës artificiale dhe tranzicionit energjetik, të cilat shihen si motorë të rritjes ekonomike të ardhshme të BE-së.

“Duke pasur parasysh urgjencën e detyrës, objektivat janë qëllimisht ambicioze dhe sfiduese. Ne do të përdorim të gjitha mjetet që ka në dispozicion Presidenca për të lehtësuar arritjen e marrëveshjes mbi dosjet prioritare, në përputhje me objektivat e dakorduara. Suksesi do të kërkojë që të gjitha shtetet anëtare dhe secili institucion të punojnë së bashku me vendosmëri, në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit, në interes të çdo qytetari dhe biznesi në të gjithë bashkimin tonë”, thuhet në program.

Në këtë kuadër të gjerë të politikave evropiane, zgjerimi i Bashkimit Evropian trajtohet si një proces strategjik që lidhet ngushtë me stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit. Ai nuk paraqitet vetëm si një qëllim politik, por si një investim afatgjatë në paqe dhe zhvillim. Megjithatë, mënyra se si trajtohen vendet kandidate tregon qasje të diferencuar, përkatësisht vendet kandidate nuk janë fokus.

Në këtë drejtim, Mali i Zi veçohet si një vend për të cilin synohet përmbyllja e negociatave të anëtarësimit, duke treguar se ai ndodhet në një fazë shumë të avancuar të procesit të integrimit evropian. Kjo e vendos Malin e Zi si një nga prioritetet më konkrete të zgjerimit në këtë program.

Në mënyrë të ngjashme, Shqipëri përmendet në kontekstin e synimit për përparim të konsiderueshëm në negociatat e anëtarësimit. Kjo tregon se Shqipëria është pjesë aktive e procesit të zgjerimit, por ende në një fazë që kërkon reforma të mëtejshme dhe konsolidim institucional për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë. Kjo qasje tregon se Presidenca Irlandeze e sheh Shqipërinë si një vend me potencial të qartë integrimi, por jo ende në fazën përfundimtare të negociatave.

Përveç Ballkanit Perëndimor, në prioritete janë përfshirë edhe vende të tjera kandidate dhe partnere të rëndësishme për zgjerimin e BE-së, si Ukraina dhe Moldavia. Këto vende trajtohen në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, ku procesi i zgjerimit lidhet jo vetëm me integrimin ekonomik dhe institucional, por edhe me forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropë. Sidomos Ukraina shihet si një rast me rëndësi të veçantë për shkak të luftës.

“Ne e shohim procesin e zgjerimit si një shprehje kyçe të vlerave tona dhe si një investim në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në mbarë Evropën. Besojmë se bashkëqytetarët tanë evropianë në vendet kandidate mund të përfitojnë nga avantazhet e anëtarësimit në BE dhe se Bashkimi në tërësi do të forcohet nga kontributet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore që sjellin shtetet e reja anëtare. Në veçanti, do të punojmë drejt përfundimit të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi dhe do të synojmë të arrijmë përparim të konsiderueshëm në negociatat me Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën”, thuhet mes tjerash në prioritetet e Irlandës.

Open Balkan, Ballkani i Hapur, foto: Suad Bajrami

Në këtë panoramë të zgjerimit, vihet re se Maqedonia e Veriut nuk përmendet në mënyrë të drejtpërdrejtë si prioritet i veçantë në këtë dokument. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë të procesit të integrimit, por tregon se fokusi i Presidencës Irlandeze është vendosur më shumë te vendet me negociata më dinamike ose me zhvillime më të menjëhershme në proces.

Përtej zgjerimit, prioritetet e tjera të Presidencës Irlandeze janë të orientuara drejt forcimit të brendshëm të Bashkimit Evropian.

Në fushën e konkurrueshmërisë, synon thjeshtimin e rregullave administrative, forcimin e Tregut të Vetëm, rritjen e investimeve, zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare, përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe avancimin e transformimit digjital, me fokus të veçantë në inteligjencën artificiale dhe teknologjitë e reja. Në fushën e vlerave, theksohet rëndësia e mbrojtjes së demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave dhe forcimit të shoqërisë civile.

Një agjendë ambicioze e politikës tregtare, e cila forcon marrëdhëniet tona tregtare me partnerë globalë të besueshëm dhe diversifikon tregjet tona, do të jetë gjithashtu në qendër të përpjekjeve tona. Presidenca Irlandeze do të mbështesë përpjekjet e BE-së për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike. E udhëhequr nga parimet promovo-mbro-partnerizo që mbështesin sigurinë tonë ekonomike, ne do të punojmë për të forcuar qëndrueshmërinë e zinxhirëve tanë të furnizimit“, thuhet në prioritetet irlandeze.

Vlerat

Në aspektin e vlerave, theksi vendoset te mbrojtja e demokracisë, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe barazia. Po ashtu, vëmendje e veçantë i jepet mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale, luftës kundër dezinformimit dhe forcimit të qëndrueshmërisë demokratike të Bashkimit Evropian.

“Ne do të promovojmë angazhimin aktiv në mbështetje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, në veçanti lidhur me konfliktin ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, duke riafirmuar angazhimin e BE-së për zgjidhjen me dy shtete. Ne do të punojmë për t’i dhënë fund situatës së rëndë humanitare në Gaza dhe përkeqësimit të situatës në Bregun Perëndimor. Ne do të mbështesim përpjekjet e BE-së për paqe, siguri dhe stabilitet në Liban dhe Siri, si dhe në konfliktin në Gjirin Persik, i cili ka pasur ndikime të rëndësishme rajonale dhe globale”, thuhet në fushën e vlerave.

Siguria

Në fushën e sigurisë, vëmendje e madhe i kushtohet luftës në Ukrainë, konflikteve në Lindjen e Mesme dhe kërcënimeve të reja globale, përfshirë sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. BE-ja synon të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe të rrisë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si NATO dhe OKB, duke e parë sigurinë si një koncept të zgjeruar që përfshin dimension ushtarak, ekonomik, energjetik dhe digjital.

“Lufta e vazhdueshme e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik, si dhe zhvillimi i kërcënimeve të reja dhe formave të reja të luftës, paraqesin sfida serioze. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i adresuar këto sfida, të cilat kanë nxjerrë në pah nevojën që Evropa të investojë në të gjitha dimensionet e sigurisë sonë dhe të zhvillojë kapacitetet tona mbrojtëse. Presidenca Irlandeze do të punojë për të avancuar masat që kontribuojnë në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes evropiane”, thuhet në programin e Irlandës.

Flamuri i Bashkimit Evropian (BE). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kujtojmë se edhe Presidenca paraprake e Qipros, zgjerimi i BE-së, ashtu sikurse edhe me Irlandën dhe presidencat e kaluara, përmendej si proces strategjik, Ballkani Perëndimor nuk zinte vend prioritar dhe as nuk trajtohej me fokus të veçantë. Maqedonia e Veriut, edhe atje, nuk përmendej konkretisht pavarësisht sfidave të hapura politike që kërkojnë ndërmjetësim aktiv evropian. Ukraina edhe me Qipron ishte përparësia politike dhe gjeostrategjike, e shoqëruar me angazhim të qartë diplomatik, financiar dhe ushtarak.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEIrlandaMali i ZiMoldaviaShqipëria