Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka paraqitur kallëzim penal kundër dy personave zyrtarë të punësuar në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Përvetësim në detyrë” nga neni 354 i Kodit Penal të RMV-së dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afaristë” nga neni 280 i Kodit Penal të RMV-së, transmeton Portalb.mk.
E para e kallëzuara A.N., në cilësinë e drejtoreshës së Sektorit për financa dhe kontabilitet në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, së bashku me të kallëzuarën e dytë D.D., e punësuar në pozitën e shefes së punëve financiare, nuk e kanë paguar dhe depozituar në llogaritë transaksionale të shoqërisë në bankat afariste të gjithë qarkullimin ditor për vitin 2024, në shumën e përgjithshme prej 46.038.720 denarësh, të cilin e kishin marrë nga pikat e shitjes së tyre të SHA Lotaria Shtetërore. Gjithashtu, nga llogaritë bankare të SHA Lotaria Shtetërore kanë tërhequr mjete financiare në shumën e përgjithshme prej 33.950.724 denarësh, të cilat në mënyrë të kundërligjshme i kanë përvetësuar për vete.
Me qëllim të fshehjes së gjurmëve të veprës penale të kryer dhe mungesës së mjeteve financiare të përvetësuara, ato kanë bërë transferime të mjeteve financiare ndërmjet llogarive bankare të shoqërisë, kanë krijuar urdhërpagesa për transaksione dhe kanë realizuar pagesa dhe tërheqje me të cilat në mënyrë të rreme kanë paraqitur se ishin kryer transaksione financiare në shuma të konsiderueshme. Njëkohësisht, kanë përgatitur dhe përdorur dokumentacion të rremë financiar dhe kontabël, përmes evidentimit të pagesave fiktive nga arka e shoqërisë, me ç’rast mjetet financiare të përvetësuara në mënyrë të kundërligjshme janë hequr nga evidenca në konto të ndryshme kontabël, bazuar në dokumentacion fiktiv, duke paraqitur në mënyrë të rreme destinimin e tyre dhe duke fshehur mungesën e mjeteve në librat afaristë të shoqërisë.
Me veprimet e lartpërmendura, e para e kallëzuara A.N., së bashku me të dytën e kallëzuar D.D., kanë përfituar kundërligjshëm dobi pasurore, ndërsa SHA Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut i kanë shkaktuar dëm pasuror në shumën prej 79.989.444 denarësh.
Në kuadër të procedurës, në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga PTHP Shkup, ndërsa bazuar në urdhrat e gjykatës kompetente, gjatë ditës së djeshme janë kryer bastisje në gjithsej pesë lokacione, prej të cilave katër në territorin e Shkupit dhe një në territorin e Vallandovës.
Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh sendesh dhe materialesh me interes për procedurën, ndër të cilat dokumentacion origjinal kontabël që ka të bëjë me SHA Lotaria Shtetërore e Maqedonisë, telefona celularë, laptopë, pajisje USB, hard-diskë të jashtëm dhe pajisje të tjera elektronike, mjete financiare, ar dhe stoli ari, stoli të markës “Swarovski”, orë me vlerë të madhe, si dhe çanta të markave të prodhuesve të njohur botërorë, ndër të cilat “Hermès”, “Louis Vuitton”, “Dior” dhe të tjera.
Gjithashtu, jashtë njërit prej lokacioneve ku është kryer bastisja, në një oborr fqinj, është gjetur dhe sekuestruar dokumentacion i hedhur, i cili është me interes për procedurën.
Në kuadër të aksionit të zhvilluar, personat e kallëzuar janë privuar nga liria.
Lënda është rezultat i gjetjeve të auditimit të kryer nga Enti Shtetëror i Revizionit në SHA Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Prokuroria, pretendon se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet zyrtare duke mundësuar blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Sipas Prokurorisë, me këto veprime Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh.
- LEXO: “Lotaria Shtetërore”: Dëshmitari i Prokurorisë e ndryshoi deklaratën, foli në favor të Grubit dhe Bajramit
- LEXO: Prokuroria paraqiti 231 prova në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi pati vërejtje
- LEXO: Përparim Bajrami dhe Bashkim Avdiu u deklaruan të pafajshëm në seancën e sotme për rastin “Lotaria” (VIDEO)