Prindërit e viktimave të zjarrit në të ashtuquajturën diskotekë “Puls” në Koçan marshuan dje për herë të 51-të, duke përsëritur kërkesat për të vërtetën, përgjegjësi dhe drejtësi, transmeton Portalb.mk.
Prindërit theksuan se marshimi i djeshëm nuk u kushtohej vetëm 63 engjëjve të tyre, por edhe të gjitha viktimave të pafajshme të tragjedive që e kanë mbuluar vendin me zi.
Ata kujtuan 16 jetët e humbura në Llaskarcë, 14 viktimat në spitalin modular të Tetovës, 45 viktimat e “Besa Trans” dhe 63 jetët e humbura në “Puls” të Koçanit.
Familjarët theksojnë se nuk kërkojnë privilegje apo trajtim të veçantë. Kërkesat e tyre janë zbardhja e së vërtetës, drejtësia në sallën e gjyqit dhe përgjegjësia për çdo lëshim të provuar.
Edhe këtë herë, “Marshi për engjëjt” nisi nga Parku i Revolucionit dhe vazhdoi drejt qendrës tregtare, ndërtesës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike, policisë, Gjykatës dhe Prokurorisë.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.