Lidhja Shqiptare akuzon pushtetin në Tetovë për kushtëzim të votimit të emrave të rrugëve me objektin te zjarrfikësit (Video)

Lidhja Shqiptare në Tetovë akuzoi udhëheqësinë komunale dhe shumicën në Këshillin Komunal se po planifikojnë ta kushtëzojnë miratimin e ndryshimit të emrave të rrugëve dhe llogarisë përfundimtare të buxhetit me kalimin e studimit të fizibilitetit për objekin e ri te parcela te zjarrfikësit. Këshilltari Arlind Murtezani pretendon se kjo qasje rrezikon bllokimin e dy proceseve dhe shpërbërjen e Këshillit Komunal. Ai i bëri thirrje kryetarit të komunës që studimi të tërhiqet ose të shqyrtohet në një seancë të veçantë, transmeton Portalb.mk.

Sipas Murtezanit, shumica planifikon që në seancën e ardhshme ta vendosë studimin e fizibilitetit si pikë të parë të rendit të ditës, ndërsa pas tij të shqyrtohen llogaria përfundimtare e buxhetit komunal dhe propozimi për ndryshimin e emrave të rrugëve. Ai e cilësoi këtë si përpjekje për t’i ushtruar presion opozitës dhe qytetarëve që ta pranojnë projektin për pronën publike.

“Jemi këtu për të denoncuar një plan destruktiv të udhëheqësisë së Komunës së Tetovës që ka për qëllim realizimin e ambicjeve për shitjen e pronës publike te zjarrfikësit duke rrezikuar procesin e emrave të rrugëve dhe shpërbërjen e këshillit komunal”, deklaroi Murtezani.

Ai pretendon se, nëse pengohet miratimi i studimit, shumica do ta bllokojë vazhdimin e seancës, duke pamundësuar edhe votimin e dy pikave të tjera. Projektin për parcelën te zjarrfikësit ai e cilësoi si “shit-vjedhje” të pronës publike dhe të parave të qytetarëve.

Lidhur me ndryshimin e emrave të rrugëve, këshilltari akuzoi udhëheqësinë komunale se po kërkon ta shmangë përgjegjësinë për një proces që vetë e kishte promovuar. Sipas tij, pas kësaj qëndron mungesa e guximit për ta çuar përpara këtë proces për shkak të partneritetit me VMRO-DPMNE-në.

Murtezani paralajmëroi gjithashtu se mosmiratimi i llogarisë përfundimtare, sipas vlerësimit të tij, do të çonte në shpërbërjen e Këshillit dhe zgjedhje të reja për këshilltarët. Ai e krahasoi këtë mundësi me skenarin e vitit 2022, duke pretenduar se do të shërbente për të mbuluar dështimet e pushtetit lokal dhe për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit.

Në fund, ai kërkoi që shqyrtimi i studimit të fizibilitetit të ndahet nga vendimmarrja për çështjet e tjera.

“I bëjmë thirje Bilall Kasamit dhe shumicës së këshillit që studimin e fizibilitetit të mos e përziejnë në seancë të njëjtë me pikat e tjera të rëndësishme për tetovarët, por të heqin dorë nga kjo pikë ose të njëjtën ta vendosin në seancë tjetër nëse besojnë se kanë argumente dhe të drejtë ta kalojnë”, tha Murtezani.

Më 14 tetor, Komuna e Tetovës e propozoi miratimin e “Studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ komercial për Komunën e Tetovës”, i cili shkaktoi paqartësi të mëdha dhe ngriti dyshime për keqpërdorime financiare dhe dëm të interesit publik në favor të atij privat.

Projekti për objektin e ri administrativ-komercial ka vlerë të planifikuar prej rreth 28 milionë eurosh dhe planifikohet të realizohet në parcelën ku aktualisht ndodhet Njësia e Zjarrfikësve. Sipas alternativës së rekomanduar në studim, 60% e kompleksit do të destinohet për komunën dhe zjarrfikësit, ndërsa 40% për hapësira komerciale të investitorit privat.

Për këtë pati një debat publik i cili u braktis nga opozita, ndërsa studimi ende është në procedurë shqyrtimi në Këshillin Komunal, për të cilin nuk është sjellë ende vendim.

Bilall KasamiEmrat e Institucioneve - RrugëveKomuna e TetovësLidhja Shqiptare (LSH) ish Aleanca e SelësVLEN koalicioniVMRO-DPMNE