VLEN dhe BDI sot shkëmbyen akuza për përgjegjësinë politike lidhur me kalimin e bankës së Manastirit nën kontrollin e ALTA Bankës së Beogradit. Koalicioni qeverisës pretendon se ish-funksionarët e BDI-së dhe familjarë të Ali Ahmetit kishin vepruar në mënyrë të koordinuar për të mundësuar këtë proces, ndërsa BDI-ja akuzon pushtetin aktual se i ka miratuar vendimet përfundimtare dhe po përpiqet t’ia bartë përgjegjësinë opozitës. Për këtë rast, përplasje politike sot ka pasur edhe te partitë maqedonase LSDM dhe VMRO-DPMNE, transmeton Portalb.mk.
Nga VLEN-i iu referuan procesverbalit të seancës qeveritare të 6 qershorit 2023 dhe një vendimi të publikuar në Gazetën Zyrtare. Sipas koalicionit, Artan Grubi kishte nënshkruar pëlqimin për shitjen e aksioneve shtetërore në “Stopanska Banka” – Manastir, pas një seance ku kishin marrë pjesë edhe Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi.
“Një provë që dëshmon se si lidershipi i BDI-së në mënyrë institucionale e kishte hapur rrugën për marrjen nën kontroll të ‘Stopanska bankës’ – Manastir (sot Alta banka Maqedoni)”, deklaruan nga VLEN-i.
Koalicioni pretendon se shitja e aksioneve lidhej me transaksionet e kompanisë “AS Senjak”, të cilën e lidh me krushkun e Ali Ahmetit, dhe me një kredi prej pesë milionë eurosh nga Beogradi. Sipas VLEN-it, aksionet më pas përfunduan në duart e Davor Macurës. Për këto pretendime, koalicioni kërkoi zgjerim të hetimeve dhe marrjen në pyetje të ish-funksionarëve.
“I bëjmë thirrje Prokurorisë publike dhe Drejtorisë së inteligjencës financiare që ta zgjerojnë hetimin dhe t’i marrin në pyetje të gjithë ish funksionarët e BDI-së që kanë marrë pjesë në miratimin dhe nënshkrimin e këtyre vendimeve”, thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, BDI-ja kundërshtoi lidhjen që VLEN-i i bën shitjes së disa aksioneve në vitin 2023 me kalimin e bankës te ALTA Banka. Sipas partisë opozitare, vendimi për shitjen e bankës te grupi nga Beogradi është nënshkruar në vitin 2025, gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
“Nëse BDI-ja e solli Alta Bankën, si hyri ajo në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes suaj? Si e lejuan hyrjen institucionet që drejtoni ju?”, pyetën nga BDI-ja.
BDI-ja pretendon se para hyrjes së bankës në vend kishte paralajmëruar publikisht për lidhje të dyshimta me të ashtuquajturën “Bota Serbe”. Partia akuzoi pushtetin se i kishte shpërfillur këto paralajmërime dhe se tani po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga përgjegjësia për vendimet e veta.
“Ju paralajmëruam. Ju e dinit. Ju i morët vendimet. Ju i vutë firmat. Tani mos kërkoni fajtorin në derë të huaj!”, deklaruan nga BDI-ja.
ALTA Banka sot i përplasi edhe partitë maqedonase, LSDM-në opozitare dhe VMRO-DPMNE-në në pushtet.
Nga LSDM-ja thonë se derisa Davor Macura ndodhet në paraburgim në Serbi për nxjerrjen e afro 400 milionë eurove dhe dyshimet për shtypjen e kartëmonedhave të falsifikuara prej 500 eurosh, në Maqedoni VMRO-ja dhe Mickoski e mbrojnë Alta Bankën.
“Tani po përpiqen ta bartin përgjegjësinë duke e lidhur LSDM-në me BDI-në. Nxorrën një dokument nga “Gazeta Zyrtare” i qershorit të vitit 2023, si gjoja provë se qeveria e mëparshme kishte lidhur marrëveshje me Alta Bankën. Ky është manipulim i plotë”, thonë nga LSDM.
Ata thonë se këto aksione nuk u shitën fare gjatë mandatit të LSDM-së.
“Alta Banka atëherë nuk ishte fare e pranishme në vend. Hyrja e Alta Bankës serbe dhe marrja nën kontroll e Stopanska Bankës ndodhën në vjeshtën e vitit 2025, me vendim të Mickoskit dhe pushtetit të tij. Paketa e sekuestruar iu shit Alta Bankës në janar të vitit 2026 për rreth 375.000 euro. Sërish u kapën në gënjeshtër. Mickoski e solli Alta Bankën e Vuçiqit në Maqedoni”, thonë nga LSDM.
Nga VMRO–DPMNE-ja thonë se në prapavijën e rastit Alta Banka qëndrojnë interesat e biznesit të LSDM-së dhe BDI-së.
“Nuk ka skandal të madh në Maqedoni pa çuar gjurmët e parave drejtpërdrejt në Zajas, te BDI-ja dhe Ali Ahmeti. Kompania e krushkut të Ahmetit merr kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka në Serbi. Tani çdo qytetar e ka të qartë përse ish-funksionarët e BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, e shtynin me kaq ngulm hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të Maqedonisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga aty theksojnë se Filipçe dhe LSDM-ja të ndalojnë së hedhuri mjegull në opinion dhe të tregojnë nëse më 24 tetor 2023, kur Besimi e kishte hapur temën e Alta Bankës në një seancë qeveritare, ndërsa pyesin nëse kishin dijeni për marrëdhëniet afariste me kompaninë e krushkut të Ahmetit.
” A kishin atëherë LSDM-ja dhe BDI-ja informacione për prejardhjen e kapitalit të bankës dhe dyshime eventuale? Përse heshtën për bashkëpunimin afarist mes qarqeve të BDI-së, Davor Macurës dhe Alta Bankës”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.
- LEXO: ALTA Banka të hënën do të hapë edhe ekspoziturën në Prilep
- LEXO: Filipçe: Hyrja e Alta Bankës është pjesë e marrëveshjes mes Mickoskit dhe Vuçiqit, ata e dinin mirë se kush është Macura
- LEXO: Alta Banka do të lehtësojë procedurat për marrjen e parave, Banka Popullore ka planifikuar edhe transport për klientët
- LEXO: Gjysmë miliardë euro në kasafortën e ALTA-s, çfarë ka ditur Banka Popullore e Serbisë?
- LEXO: Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë