Gjatë ditës së sotme, zyrtarë të autorizuar të Drejtorisë së Policisë Financiare, duke vepruar në bazë të urdhrave të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake, në koordinim dhe nën drejtimin e prokurorit publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, po kryejnë bastisje në banesa dhe ndaj personave në disa lokacione, transmeton Portalb.mk.
“Aksioni buron nga një procedurë parahetimore e drejtuar kah zbulimi dhe dokumentimi i veprave penale nga fusha e kriminalitetit financiar, për të cilat ekzistojnë dyshime se janë kryer nga persona zyrtarë me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të pasurisë në përmasa të mëdha, me ç’rast janë përvetësuar mjete buxhetore në vlerë prej gati 80 milionë denarësh”, thonë nga Policia Financiare.
Në kuadër të aksionit, në përputhje me udhëzimet e prokurorit publik kompetent, zyrtarët e autorizuar të Drejtorisë së Policisë Financiare kanë privuar nga liria dy persona.
Sipas burimeve të “Plusinfo”, dyshimet lidhen me periudhën kur Lotaria Shtetërore drejtohej nga ish-drejtori Përparim Bajrami.
Kujtojmë se, përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Prokuroria, pretendon se të akuzuarit kanë tejkaluar autorizimet zyrtare duke mundësuar blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit. Sipas Prokurorisë, me këto veprime Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej rreth 9.7 milionë eurosh.
- LEXO: “Lotaria Shtetërore”: Dëshmitari i Prokurorisë e ndryshoi deklaratën, foli në favor të Grubit dhe Bajramit
- LEXO: Prokuroria paraqiti 231 prova në rastin “Lotaria Shtetërore”, Grubi pati vërejtje
- LEXO: Përparim Bajrami dhe Bashkim Avdiu u deklaruan të pafajshëm në seancën e sotme për rastin “Lotaria” (VIDEO)