Nuk rrënohet Aleksandri i Madh, detaje nga marrëveshja e emrit Maqedoni – Greqi

“Nuk ka rrënim të Aleksandrit të Madh, por ai mbetet si simbol i miqësisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë. E njëjta do të ndodh edhe me përmendoren e Filipit të II-të dhe Olimpisë. Të gjitha pjesët tjera në lidhje me përmendoret, që janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe civilizuese botërore, do të jenë në vijën e forcimit të raporteve fqinjësore ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë”, kështu është shprehur zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovksi duke komentuar informatat në mediat greke se, përmendoret e projektit “Shkupi 2014” do të zhvendosen në Selanik të Greqisë, transmeton Portalb.mk.

Siç sqaroi më tej Boshnjakovski, i vetmi ndryshim që do të bëhet në përmendoret, është se do të jepet sqarim se për çfarë bëhet fjalë.

“Për shembull, emrin e “luftëtari në kalë”, do ta riemërojmë në atë që është në të vërtetë, “Aleksandar makedonski” (Aleksandri i Maqedonisë), dhe do të japim sqarim në përmendore se për çfarë bëhet fjalë. Respektivisht, heroi Aleksandri i Maqedonisë, si pjesë e periudhës helene antike, dhe si trashëgimi kulturore botërore”, tha Boshnjakovski.

Përdorimi i termit “Maqedoni”, bazë e marrëveshjes Shkup – Athinë

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski sqaroi se në marrëveshjen e arritur ndërmjet Shkupit dhe Athinës, është definuar qartë përdorimin e termit “Maqedonia”.

“Është qartë e definuar se çfarë për ne paraqet termi “Maqedoni”, dhe çfarë për ata paraqet termi “Maqedoni”. Dhe kjo dihet, se ajo çfarë për ne është “Maqedoni”, është e pranueshme për ata, dhe ajo çfarë për ata është “Maqedoni”, është e pranueshme për ne”, tha Boshnjakovski duke treguar gjithashtu se kjo është baza e marrëveshjes Shkup – Athinë.

Në marrëveshje gjithashtu:

  • thuhet se do të ekzistojë e drejta e të quajturit maqedonas;
  • thuhet se emri Republika e Maqedonisë së Veriut është e përkthyeshme në të gjitha gjuhët;
  • thuhet se nuk parashihet që emri i ri të shkruhet në alfabetin latin;
  • sa i takon gjuhës maqedonase, thuhet se ruhet identiteti maqedonas;

“Gjuha maqedonase është e pranuar në Kombet e Bashkuara, dhe ajo ngelet ashtu. Nuk do të ketë fusnotë në OKB afër gjuhës maqedonase. Hiqet parashtesa FYROM. Do të kemi gjuhë maqedonase”, tha Boshnjakovski.

  • nuk janë përfshirë simbolet shtetërore, sepse nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes;
  • nuk ndryshohet himni, flamuri dhe stema,
  • nuk ndryshohen kodet MK dhe MKD.

Sfida e marrëveshjes: inatet politike

Marrëveshja për emrin Maqedoni – Greqi përballet me sfidën – inatet politike në Maqedoni. Nëse deri më sot, problemi ndërmjet pozitës dhe opozitës maqedonase, përfshirë këtu edhe presidentin, Gjorge Ivanov kishin të bënin me ligjin e gjuhëve, që ende nuk po publikohet në Gazetën Zyrtare, fatin e njëjtë, mos dekretimin nga Ivanovi mund ta pret edhe marrëveshja Shkup – Athinë.

Sot, kryetari i Maqedonisë për dy minuta u njoftua me marrëveshjen, megjithëse paraprakisht ka njoftuar se për të, nuk është i papranueshëm, çfarëdo zgjidhje që do të shkaktonte ndërhyrje në Kushtetutë. Ai sot vetëm morri marrëveshjen nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe të njëjtit “i largoi” nga zyra, duke mos pranuar sqarime më shumë, por duke paralajmëruar konferencë për media sot.

“Qeveria e Maqedonisë ka qëllim të qartë, se ndodhemi në një moment kyç, historik për Republikën e Maqedonisë, për qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Para nesh ndodhet perspektiva evropiane, presim të bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s, dhe në Bruksel do të vendoset flamuri maqedonas. Edhe njëherë them, se presim që të gjitha subjektet politike në Maqedoni, do të jenë të vetëdijshëm, dhe do të dinë se në çfarë situate politike gjendemi për momentin. Ne do të sillemi në mënyrë konstruktive, duke sqaruar përfitimet e këtij procesi”, tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski.

Marrëveshja Shkup – Athinë, mes spekulimesh

Zyrtarisht, marrëveshja e arrirë ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras ende nuk është publikuar si e tërë, për këtë, mediat në Greqi dhe Maqedoni, gëzojnë “autoritetin” që të spekulojnë se kush “humbi” dhe “fitoi” nga marrëveshja Greqi – Maqedoni.

“Marrëveshja do të publikohet, menjëherë pas mbarimit të seancës qeveritare, e cila për momentin nuk është caktuar ende. Kur do ta caktojmë, sikur çdo seancë qeveritare, do ta njoftojmë, dhe nga e njëjta do të informojmë kur do të mbarojë”, tha Boshnjakovski.

“Shans historik” për Athinën dhe Shkupin

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP