Lëvizja Besa me dy kongrese, ja datat (FOTO)
Partia opozitare shqiptare Lëvizja BESA ka publikuar edhe datën e mbajtjes së kongresit të partisë, ku shihet se kongresi i partisë do të mbahet në dy data, njëri më 18 shkurt e tjetri më 24 shkurt, raporton Portalb.mk.
Sipas informatave, më 18 shkurt kongres të partisë do të mbajë BESA e “Karemanit”, që ishin “kundër” që Bilall Kasami të jetë lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit, e kurse më 24 shkurt kongres do të mbajë BESA e “Kasamit” që janë “për” që Bilall Kasami të jetë lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit.
“Kongres i partisë, 24 shkurt 2018 në Holidej In në Shkup”, shkruan në njoftimin e Lëvizjes BESA që janë “për” që Bilall Kasami të jetë lider i partisë deri në mbajtjen e kongresit.
“Kongresi i parë i Lëvizjes BESA. Ideja vazhdon. Më 18.01.2018, në Pallatin e Kulturës në Tetovë”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA që janë “kundër” që Bilall Kasami të jetë lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit.
Në lidhje me njoftimin e dytë reagoi BESA “e Kasamit” të cilët thanë se kongresi i 24 shkurtit është kongresi i vetëm i partisë.
“Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik e riktheksojmë që konform statutit dhe rregullores për Organizimin e Kongresit, Lëvizja Besa ka shpallur kongresin e saj më 24 shkurt 2018 dhe ky është kongresi i vetëm i partisë. Ndërsa ata që sot po mundohen të manipulojnë opinionin publik me slloganin “ideja vazhdon” e vulosën tradhëtinë që i bënë anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Besa dhe me këtë dëshmuan se ideja e tyre ka qenë e thjesht, se nëse nuk arrijnë ta uzurpojnë partinë, atëherë të mundohen ta shkatërojnë atë”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e BESA-s së “Kasamit”.
Përndryshe, dy datat e kongresit vijnë pasi që partia shqiptare opozitare Lëvizja BESA është ndarë në dy grupe, njëri grup që është “kundër” që Kasami të jetë kryetar i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak në shkurt, që njihet si BESA e “Karemanit” dhe grupi tjetër, që është “për” Kasamin që të jetë lideri i partisë deri në mbajtjen e kongresit partiak që njihet si BESA e “Kasamit”.
Grupi i “Karemanit” e shkarkoi nga posti i kryetarit Bilall Kasamin dhe në vend të tij, si udhtrues detyre të kryetarit të partisë e vendosi deputetin e kësaj partie, Nexhbedin Karemani.
Kjo parti hapi edhe seli të reja, njëra u hap në Tetovë nga grupi i “Karemanit” dhe tjetra në Shkup nga grupi i “Kasamit”.
Përçarjet në BESA ndikuan edhe në grupin parlamentar të kësaj partie, grupi i “Karemanit” ka dy deputetë ndërsa grupi i “Kasamit” ka tre deputetë.
Prapaskenat e përçarjeve në BESA, çfarë ndodhi dhe kush e ka shumicën? (Dokumente)