AKMIS nuk ka funksionuar, nuk ka përgjegjësi penale për ndarjen manuale të lëndëve

Ministria e Drejtësisë sot publikoi raportin që doli nga kontrolli i sistemit AKMIS. Megjithatë, siç njoftoi ministri Bilen Saliji, me këtë raport nuk parashihet ngritje e padisë penale ndaj personave përgjegjës, për siç tha ai, sepse kaq është mundësia e ndërhyrjes së Ministrisë së Drejtësisë në gjyqësor, raporton Portalb.mk.

“Në kuadër të kompetencave tona, të parapara me ligjin për gjykatës dhe Rregullores së Gjykatës, është kryer mbikëqyrje mbi mënyrën e realizimit të dispozitave ligjore të ligjit në fjalë. Është kryer kontroll në Gjykatën Themelore Shkupi 1, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme. Me ligjin në fjalë ne mund vetëm të bëjmë kontroll, por jo edhe të ndërhyjmë në gjykata apo të caktojmë se a duhet apo jo t’i ngritët padi ndonjë individi, përgjegjës për ndarjen manuale të lëndëve gjyqësore”, tha Saliji.

Pas kontrollit të bërë në Gjykatën e Apelit, është vërejtur se numri i madh i lëndëve gjyqësore nuk janë ndarë te gjykatësit e procedurës së caktuar për procedurë paraprake dhe se lëndët janë ruajtur në regjistër.

Në lidhje me këtë, ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji njoftoi se ai dhe trupi kontrollues nuk kanë pasur qasje deri te lëndët e caktuara dhe as që mund të flasin në lidhje me atë se a është bërë padrejtësi apo ndonjë shkelje ligjore ndaj qytetarëve.

Nga kontrolli i Sistemit AKMIS në Gjykatën Supreme është vërtetuar se lëndët janë ndarë në mënyrë manuale dhe se nuk ka qenë i formuar as grup punues për ndarjen e lëndëve.

“Në Gjykatën Supreme është vërejtur se lëndët janë dorëzuar në mënyrë manuale dhe se vendimet e trupit punues për standardizim të procedurave në gjykata nuk janë publikuar në uebfaqe dhe nuk janë dorëzuar te komisioni për vlerësim të zbatimit të Rregullores së Gjykatës edhe pse ky obligim që parashihet në rregulloren gjyqësore, i njëjti nuk është përmbushur. Është vërejtur gjithashtu se nuk ka qenë i formuar grup punues për menaxhim me lëndët gjyqësore apo ndarjen e tyre te gjykatësit e caktuar. Sistemi AKMIS nuk ka qenë funksional dhe si pasojë lëndët gjyqësore janë ndarë në mënyrë manuale”, tha Saliji, raporton Portalb.mk.

Siç njoftoi më tej Saliji, në vitin 2016, në Gjykatën Supreme është vërejtur se pas ndryshimit të kryetarit të saj menjëherë është sjell orar i punës i ri dhe për të njëjtin nuk është respektuar Rregullorja e Gjykatës. Siç njoftoi ministri Bilen Saliji, vetëm gjatë vitit 2017 nëntë herë ka qenë i ndryshuar orari i punës së gjykatës.

Ngjashëm është gjendja edhe me Sistemin AKMIS në Gjykatën Themelore Shkupi 1 ku edhe këtu është vërejtur se nuk janë respektuar procedura interne për ndarje të lëndëve gjyqësore.

Është vërejtur se në Gjykatën Themelore Shkupi 1 plani vjetor për menaxhim me lëndët gjyqësore është sjellë më vitin 2013 dhe për të njëjtin nuk është formuar trup punues, gjë e cila nënkupton se dhe këtu lëndët janë ndarë në mënyrë manuale. Edhe orari i punës në këtë gjykatë nuk ka qenë stabil, vetëm gjatë shtatorit të 2017-s i njëjti është ndryshuar tre herë.

Nga Ministria e Drejtësisë deri të udhëheqësit e gjyqësorit dërguan disa rekomandime që kanë të bëjnë me zbatimin e plotë të dispozitave ligjore të ligjit për gjykatës, ligjit për menaxhim me ndarjen e lëndëve gjyqësore dhe respektimin e Rregullore së Gjykatës. Për të njëjtën problematikë kërkohet edhe formim i trupave punues.

Nga Ministria kërkojnë që kryetarët e gjykatave të përpilojnë raport për programin e realizuar të punës së tyre dhe të ushtrojnë kontroll në nivele më të ulëta gjyqësore.

Ministria e Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor kërkoi që të veprojë në përputhshmëri me kompetencën e tij, në mënyrë të vazhdueshme të ndjekë punën e gjykatësve në zbatimin e sistemit AKMIS, të respektojë ligjin për menaxhim me ndarjen e lëndëve gjyqësore dhe Rregulloren e Gjykatës.

Nga MD-ja njoftuan se në mënyrë permanente do të ndjekin përdorimin e sistemit AKMIS në të ardhmen dhe se kontrollin ndaj këtij sistemi do ta vazhdojnë në gjykatat tjera.

Siç bëri të ditur ministri Saliji, kontrolli ndaj Sistemit AKMIS në Gjykatën Themelore Shkupi 1 është bërë më 5 tetor të 2017-s, në Gjykatën e Apelit më 9 nëntor të 2017-s kurse në Gjykatën Supreme më 8 nëntor të 2017-s.

Përndryshe, komisioni i cili kontrolloi sistemin AKMIS u formua më 8 tetor dhe është fokusuar në punën e sistemit të AKMIS-it gjatë periudhës kohore 2016-2017.

Ditë më parë, në takim me gazetarët, ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji tha se AKMIS do t’i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm nga një trup i pavarur revizional.

“Do të bëhet kontroll permanent i AKMIS-it. Trup i pavarur revizional, krahas Ministrisë së Drejtësisë, një herë në vit do të kontrollojë ndarjen e lëndëve te gjykatësit. Kjo masë realizohet me rekomandim të Komisionit Evropian, kurse për shembull do të ketë Kroacinë”, tha të premten ministri, Saliji.

Ndërkaq, ekspertët vlerësuan se nëse del se AKMIS nuk ka funksionuar dhe gjykatësit kanë marrë lëndët e PSP-së pa ndonjë kriter vlerësues, nuk përjashtohet mundësia e ngritjes së veprave penale ndaj këtyre personave dhe mirëmbajtësve të Sistemit AKMIS.

“Ka prej 3 deri në 5 vjet burg, por sërish kjo varet nga vepra penale, a do të jetë ajo element i kualifikuar apo jokualifikuar. Besoj se për kryetarin e gjykatës duhet të jetë element vlerësues, sepse ai është person i autorizuar i cili duhet të mbajë llogari për keqpërdorimet e AKMIS-it, e jo vetë të keqpërdor sistemin”, vlerësuan ekspertët.

Edhe pse disa herë me radhë anëtarët e Këshillit Gjyqësor u pyetën për skandalin AKMIS, ata refuzuan të përgjigjen, përfshirë këtu edhe kryetarin e këtij Këshilli, Zoran Karaxhoski.

Skandali me sistemin AKMIS, sistem ky që në Gjykatën Themelore dedikohet për ndarjen e lëndëve te gjykatësit kompetent, përfshinë Vlladimir Pançevskin që punoi të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale Publike si i afërt me ish-kryetarin e Gjykatës Penale Shkupi 1, Jovo Vangellovski. Nevoja për kontroll të sistemit AKMIS erdhi pasi që në raportin e Pribesë u tha se “ka perceptime se lëndët gjyqësore nuk janë duke u ndarë nëpërmjet Sistemit AKMIS”.

One thought on “AKMIS nuk ka funksionuar, nuk ka përgjegjësi penale për ndarjen manuale të lëndëve

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP