“Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një mundësi reale dhe ajo duhet shfrytëzuar. Ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt anëtarësimit“, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në konferencën për shtyp pas samitit BE – Ballkani Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se ky është samiti i dytë gjatë këtij viti, gjë që pasqyron intensitetin e angazhimit politik me rajonin, ndërsa situata sfiduese gjeopolitike vetëm sa e thekson nevojën për lidhje edhe më të ngushta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
“Bëmë një bilanc të arritjeve pas samitit tonë të suksesshëm në Tivat dhe diskutuam se si ta çojmë në një nivel më të lartë integrimin gradual në Bashkimin Evropian. Qytetarët në të gjithë rajonin tashmë po i ndiejnë përfitimet e kësaj qasjeje, ndërsa ne po shqyrtojmë mënyrat për të përparuar edhe më shumë“, tha Costa.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se pranimi i shteteve të reja është në interes të BE-së.
“Bota përreth nesh po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Evropa, aq më mirë mund t’i përballojmë sfidat”, tha von der Leyen.
Përparimi i arritur nga Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen.
“Këtë vit filluam hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kemi ndërmarrë prej më shumë se 10 vitesh. Edhe Shqipëria ka filluar mbylljen e kapitujve të negociatave. Të gjithë partnerët e tjerë nga Ballkani Perëndimor mund të shënojnë përparim në rrugët e tyre drejt anëtarësimit, nëse dëshirojnë”, theksoi Costa.
Ai shtoi se rruga drejt BE-së nuk kufizohet vetëm në zbatimin e reformave të nevojshme, por se bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ai tha se pret përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.
Costa theksoi se sfidat që burojnë nga e kaluara duhet të tejkalohen dhe se ka ardhur koha të shikohet përpara, e jo prapa.
“Vetëm në këtë mënyrë partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor mund të arrijnë përparim të vërtetë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar. Vetë Bashkimi Evropian është dëshmi e drejtësisë së kësaj qasjeje. Ai është ndërtuar mbi pajtimin dhe paqen, ndërsa zgjerimi ka luajtur një rol thelbësor në avancimin e këtyre synimeve. Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor mund të llogarisin në Bashkimin Evropian. Ne jemi partneri juaj më i besueshëm dhe të tillë do të mbetemi”, theksoi Costa.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Këto janë detyrat dhe përfitimet që e presin Maqedoninë e Veriut në procesin eurointegrues, sipas Kos
- LEXO: Drejtori për Zgjerim në KE: RMV është e bllokuar sepse nuk dëshiron ta bëjë atë që e di se duhet ta bëjë
- LEXO: BE do të reagojë nëse Bullgaria përdor protokollin e bllokadës ndaj Maqedonisë, tha ambasadori austriak Martin Pamer