Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut ka raportuar rezultatet që janë nxjerrë nga analizat e fundit që janë bërë në lidhje me ndotjen e shkaktuar nga zjarri në Trubarevë, transmeton Portalb.mk.
“Është vërejtur një rritje e nivelit të dy parametrave – Cu (bakër) dhe Zn (zink) vetëm në një vend të testuar, konkretisht në shtresën sipërfaqësore ku kanë djegur bateri litiumi, dhe kjo është brenda pritshmërive”, raportoi Instituti.
Analizat janë kryer në bazë të mostrave të marra më 14 shtator. Një ditë më pas ishin publikuar rezultat për cilësinë e ajrit dhe tokës, ndërsa metale të rënda nuk ishin konstatua në ujë.
“Gjatë ditës së sotme (16.09.25), ISHP përfundoi analizat dhe ekzaminimet e mostrave për metalet e rënda në tokë, si dhe analizat për radioaktivitet në ujë. Pas analizës së rezultateve nga të gjitha mostrat e marra, mund të konkludohet se nuk ka devijime nga vlerat referuese për të gjitha 16 metalet e rënda të analizuara (Pb, Cd, As, Ni, Hg, Cr, Cu, Zn, Sn, Ba, Be, Co, V, Tl, Mo, Sb)”, raportoi Instituti.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup i paraqiti propozim Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për të zgjatur masën e paraburgimit afatshkurtër për 48 orë të tjera për katër persona të përfshirë në procedurën në lidhje me zjarrin që shpërtheu të shtunën në një objekt për mbeturina elektronike në Trubarevë, Shkup. Më 15 shtator, Gjykata Penale urdhëroi paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh për katër persona, të cilët u mbajtën në Gjykatën Penale mbrëmjen e kaluar në lidhje me zjarrin.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por gjatë natës së kaluar deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe është bërë transporti në një vendbanim tjetër i një personi të palëvizshëm.
- LEXO: Prokuroria kërkoi 48 orë të tjera paraburgim për katër të dyshuarit në lidhje me zjarrin në Trubarevë
- LEXO: Angellov: Zjarri në Trubarevë është shuar plotësisht, ndërsa situata në “Drislla” është përmirësuar
- LEXO: Mexhiti: Mostrat e ajrit nga zjarri në Trubarevë po testohen në katër institucione, janë marrë edhe disa masa të tjera
- LEXO: Angellov: Nuk ka të lënduar në zjarrin në Trubarevë, nuk lejohet përhapja e tij