Angellov: Zjarri në Trubarevë është shuar plotësisht, ndërsa situata në “Drislla” është përmirësuar

Zjarri që shpërtheu të shtunën në një objekt të kompanisë së mbeturinave elektronike në Trubarevë të Shkupit është shuar plotësisht, ndërsa situata në deponinë Drislla është përmirësuar gjithashtu në mënyrë drastike, njoftoi këtë pasdite drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh), Stojançe Angellov, pasi këto dy zjarre fundjavën e kaluar dhe gjatë gjithë javës shkaktuan që pjesë të Shkupit të mbuloheshin me tym, por edhe aroma e plastikës së djegur të përhapej në ajër, transmeton Portalb.mk.

Ai vlerësoi se këto zjarre ishin të vështira për t’u shuar.

“E gjithë zona e djegur në Trubarevë është mbuluar me rërë dhe dhe. Këtë mëngjes, u shfaq tym i lehtë në disa vende, por menjëherë u trajtua me shkumë speciale dhe u mbulua shtesë me dhe, gjegjësisht sipas nevojës edhe me rërë”, tha ai.

Në vendin e zjarrit, siç shtoi ai, ka ende ekipe në detyrë nga brigada e zjarrfikësve të Shkupit, të cilat do të ndërhyjnë nëse është e nevojshme. Sipas tij, situata në deponinë “Drislla” është përmirësuar në mënyrë drastike, duke shtuar se ende ka një pjesë të vogël që po nxjerr tym.

“Në këtë mënyrë, të dy zjarret janë shuar plotësisht, si zjarri në Trubarevë ashtu edhe deponia “Drislla”, tha drejtori i DMSH-së.

Ai shprehu mirënjohje për zjarrfikësit e Shkupit dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në përballimin e këtyre zjarreve.

Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por gjatë natës së kaluar deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe është bërë transporti në një vendbanim tjetër i një personi të palëvizshëm.

Ndryshe, kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.

Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim RMVStojançe AngellovZjarr