Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup i paraqiti propozim Gjykatës Themelore Penale të Shkupit për të zgjatur masën e paraburgimit afatshkurtër për 48 orë të tjera për katër persona të përfshirë në procedurën në lidhje me zjarrin që shpërtheu të shtunën në një objekt për mbeturina elektronike në Trubarevë, Shkup, informoi sot Prokuroria Publike, transmeton Portalb.mk.
Më 15 shtator, Gjykata Penale urdhëroi paraburgim afatshkurtër prej 48 orësh për katër persona, të cilët u mbajtën në Gjykatën Penale mbrëmjen e kaluar në lidhje me zjarrin.
Katër personat dyshohen për veprën penale sipas nenit 230, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal (KP), përkatësisht rrezikimi i mjedisit dhe natyrës me mbeturina.
Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për një menaxher dhe pronar 56-vjeçar të dy personave juridikë, një menaxher 22-vjeçar të një personi të tretë juridik, një burrë 42-vjeçar në cilësinë e drejtuesit të një dege dhe një burrë 59-vjeçar të punësuar te personi juridik.
Prokuroria Publike në Shkup informon gjithashtu se nesër duhet të fillojë inspektim në vendngjarje në lidhje me shkaqet e zjarrit, dhe se ekipet e inspektimit në terren do të koordinohen nga një prokuror publik.
“Ekipet e Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Shkup, me urdhër të prokurorit publik, shkuan sot në vendngjarje me qëllim që të ndërmarrin veprime dhe të mbledhin prova të caktuara të nevojshme në lidhje me procedurën për rrezikimin e mjedisit me mbeturina”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ata shtojnë gjithashtu se po ndërmerren disa veprime për të siguruar dhe analizuar dokumentacionin për këtë rast.
Zjarri në Trubarevë shpërtheu më 13 shtator në objektin e firmës “F-Grupacioni” e cila merret me mbeturina elektronike, janë përfshirë edhe dy objekte në të cilët ka pasur sasi e madhe e mbeturinave plastike. Nuk ka të lënduar në zjarr, por gjatë natës së kaluar deri në orët e pasdites, në rajonin e Trubarevës janë realizuar 13 intervenime nga Ndihma e Shpejtë, gjatë të cilave një person është transportuar në spital dhe është bërë transporti në një vendbanim tjetër i një personi të palëvizshëm.
- LEXO: Angellov: Zjarri në Trubarevë është shuar plotësisht, ndërsa situata në “Drislla” është përmirësuar
- LEXO: Mexhiti: Mostrat e ajrit nga zjarri në Trubarevë po testohen në katër institucione, janë marrë edhe disa masa të tjera
- LEXO: Angellov: Nuk ka të lënduar në zjarrin në Trubarevë, nuk lejohet përhapja e tij