Vetëm katër nga 80 komuna në Maqedoni raportojnë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve

Raporti vjetor për vitin 2025 i Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve dhe Drejtësinë për Fëmijët evidenton mangësi serioze në parandalimin e delikuencës në nivel lokal, funksionimin e institucioneve dhe mbështetjen e fëmijëve. Nga 80 komuna në Maqedoninë e Veriut, vetëm katër kanë dorëzuar raport vjetor për aktivitetet e tyre, ndërsa disa këshilla komunalë nuk janë themeluar ose nuk funksionojnë. Probleme janë konstatuar edhe në Entin Edukativo-Korrektues në Tetovë, ku procesi arsimor për fëmijët nuk kishte filluar deri në mesin e shtatorit 2025, si dhe në mungesën e personelit dhe financimit për aktivitete të risocializimit, raporton Portalb.mk.

Raporti vë në pah edhe evidencat jo të plota të gjykatave dhe mungesën e koordinimit institucional, ndërsa ulja e raportuar e numrit të fëmijëve në rrezik me rreth 50 përqind lidhet me ndryshimin e metodologjisë dhe nuk dëshmon domosdoshmërisht përmirësim real. Këshilli rekomandon harmonizimin e të dhënave, forcimin e përgjegjësisë së komunave dhe sigurimin e mjeteve për zbatimin e masave parandaluese.

Mangësi serioze janë konstatuar edhe në parandalimin e delikuencës së fëmijëve në nivel lokal. Nga gjithsej 80 komuna, vetëm 25 kanë dorëzuar informacione në Këshillin Shtetëror për themelimin dhe punën e këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së fëmijëve.

Vetëm katër komuna e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të dorëzuar raport vjetor për punën e tyre gjatë vitit 2025. Ato janë Tetova, Ohri, Kumanova dhe Pehçeva.

Në disa komuna, këshillat nuk janë themeluar fare, ndërsa në të tjera ekzistojnë vetëm formalisht, pa mbledhje dhe aktivitete konkrete. Në raport thuhet se Karposhi, Rosomani dhe Sopishtja nuk i kanë themeluar këto këshilla, sipas informacioneve të dorëzuara, ndërsa në Bogdanci, Vasilevë, Kratovë dhe Rankovcë janë evidentuar këshilla jofunksionale.

Në Gjevgjeli, megjithëse këshilli ishte themeluar, gjatë vitit 2025 nuk janë mbajtur mbledhje dhe nuk janë realizuar aktivitete. As në Konçe nuk është mbajtur asnjë mbledhje, ndërsa në Negotinë, sipas raportit, që nga themelimi i këshillit nuk është evidentuar asnjë aktivitet.

Këshilli Shtetëror vlerëson se mosrespektimi i detyrimit ligjor për themelimin dhe funksionimin e këshillave lokale është një nga problemet më të mëdha që përsëritet prej vitesh, pavarësisht ekzistimit të detyrimit ligjor dhe dispozitave ndëshkuese. Si një nga arsyet kryesore përmendet mungesa e mjeteve në buxhetet komunale.

Raporti zbulon mangësi edhe në Entin Edukativo-Korrektues në Tetovë, në fshatin Volkovijë. Sipas inspektimit të Avokatit të Popullit, deri më 15 shtator 2025, procesi arsimor në këtë institucion ende nuk kishte filluar.

Në ent ishin evidentuar 18 fëmijë me arsim fillor, 19 pa arsim fillor të përfunduar dhe dhjetë me arsim të mesëm. Gjithashtu, ishte konstatuar mungesë e personelit.

Nga 1 tetori 2025 ka filluar puna e rregullt edukativo-arsimore, në të cilën janë përfshirë 19 fëmijë. Mësimi është mbajtur tri herë në javë, ndërsa janë siguruar laptopë dhe mjete shkollore. Në raport thuhet se të gjithë fëmijët e përfshirë e kanë përfunduar me sukses programin arsimor të paraparë, ndërsa janë organizuar edhe afate provimesh për arsimin e mesëm profesional.

Këshilli thekson gjithashtu se gjatë vitit 2025 Prokuroria Publike nuk ka derdhur mjete në llogarinë e të ardhurave vetanake të entit edukativo-korrektues, siç kishte bërë në vitin 2023 dhe pjesërisht në vitin 2024. Sipas raportit, këto mjete përdoreshin për aktivitete që synonin risocializimin dhe riedukimin e fëmijëve.

Një problem tjetër institucional është mospërputhja e evidencave. Këshilli Shtetëror konstaton se disa gjykata nuk dorëzojnë të dhëna ose dorëzojnë informacione jo të plota dhe të papërshtatshme, gjë që e vështirëson përcjelljen e gjendjes lidhur me delikuencën e fëmijëve dhe të drejtat e tyre.

Veçanërisht i rëndësishëm është edhe konstatimi se ulja e paraqitur e numrit të fëmijëve në rrezik gjatë vitit 2025 nuk mund të interpretohet drejtpërdrejt si përmirësim i gjendjes. Arsyeja është ndryshimi i metodologjisë: ndërsa më parë ky indikator përfshinte fëmijët e moshës 6 deri në 18 vjeç, në vitin 2025 ai është kufizuar te fëmijët deri në moshën 14-vjeçare, ndërsa për grupmoshën 14–18 vjeç është futur një indikator i veçantë.

Për këtë arsye, ulja e paraqitur prej rreth 50 përqind në këtë kategori vjen si pasojë e ndryshimit të përfshirjes në evidencë dhe nuk dëshmon se numri i fëmijëve të rrezikuar është përgjysmuar realisht.

Këshilli Shtetëror rekomandon krijimin e një sistemi të harmonizuar për mbledhjen dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet policisë, prokurorive, gjykatave dhe qendrave për punë sociale, zbatimin më të gjerë të masave mbrojtëse dhe të drejtësisë restauruese, si dhe sigurimin e mjeteve për zbatimin e Ligjit për Drejtësinë për Fëmijët.

Ndër rekomandimet është edhe ndryshimi i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, me qëllim përcaktimin më të qartë të përgjegjësive të kryetarëve të komunave dhe këshillave komunalë për themelimin dhe funksionimin e organeve për parandalim.

Raporti vjetor tregon se, krahas disa përmirësimeve në mbrojtjen juridike dhe zbatimin e masave që nuk përfshijnë privimin nga liria, vazhdojnë të mbeten dobësi serioze në parandalimin e hershëm, koordinimin institucional, kushtet për trajtimin e fëmijëve dhe sigurimin e mbështetjes në kohë për kategoritë më të cenueshme.

Kujtojmë se i njëjti raport, tregoi se rritja e numrit të fëmijëve viktima, shtimi i rasteve të paraburgimit, mungesa e kushteve të përshtatshme për biseda me të miturit në polici dhe zbatimi i dobët i drejtësisë restauruese janë disa nga problemet kryesore të evidentuara. Raporti evidenton gjithashtu mangësi në ndihmën juridike, funksionimin e këshillave komunalë dhe koordinimin institucional.

Sipas raportit, numri i fëmijëve viktima të evidentuar në gjykata është rritur për 118 përqind krahasuar me vitin 2024. Ministria e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2025 ka evidentuar 694 fëmijë viktima, prokuroritë publike 629, gjykatat 404, ndërsa qendrat për punë sociale 334. Bëhet fjalë për të dhëna nga evidenca të ndryshme institucionale, të cilat nuk duhet të mblidhen sikur të përfaqësojnë një numër të vetëm të fëmijëve të ndryshëm.

Dhuna ndaj fëmijëveFëmija/ëTë drejtat e fëmijëve