Mega Parku me mini realizim në Çair: Autoritetet nuk i mbajtën premtimet, qytetarët të zhgënjyer (Video)

Tri vjet pas promovimit të Mega Parkut në Çair, projekti i cili u prezantua si hapësirë rekreative prej mbi 30 mijë metrash katrorë, ende nuk është realizuar siç u premtuaa. Parku vazhdon të jetë në gjendje të keqe, me mbeturina, baltë, gjelbërim të dëmtuar dhe mungesë të ulëseve. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje, ndërsa Qyteti i Shkupit thotë se rregullimi i parkut do të bëhet pas përfundimit të rrugës Brigada Maqedonase-Kosovare, shkruan Portalb.mk.

Në terren, hapësira që në vitin 2023 u promovua si një nga projektet e rëndësishme për banorët e Çairit, ka pamje krejtësisht tjetër nga ajo që u premtua. Gjelbërim i dëmtuar, baltë, mungesë e ulëseve dhe koshave për mbeturina janë disa nga problemet që vërehen në këtë park.

Qytetarët që takuam në terren ankohen për gjendjen e tij dhe kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë, të paktën për mirëmbajtjen e hapësirës.

“Çfarë parku bre vëlla, a park është kjo? Nuk i mbledhin mbeturinat, asgjë fare. Dihet kush është fajtori”, tha një qytetar.

“Parku është siç e shihni vetë, nuk ka as pamje që është park këtu. Mungojnë ulëset, s’ka kosha për mbeturinat. Është dëmtuar edhe gjelbërimi, krejt baltë. Nuk vijnë as për të pastruar, as këta drurë të kalbur për t’i prerë, ka rrezik edhe të bien këtu. Duhet ta bëjnë, po kush ta bëjë?”, tha një qytetar tjetër.

Për gjendjen e parkut dhe mosrealizimin e projektit reagoi edhe këshilltari i AKI-së në Qytetin e Shkupit, Daim Luçi. Ai tha se premtimet për këtë hapësirë janë përsëritur, por punimet kanë mbetur të papërfunduara.

“Është bërë si traditë këtu, sidomos me qeverisjen në Komunën e Çairit. Këta çdo vit vijnë, vetëm fotografohen, presin shirita, promovojnë se do të bëhet diçka, por asgjë. Këtu në vitin 2023, bashkë me ish-kryetaren e Qytetit, ish-kryetari i Komunës së Çairit e promovoi si një hapësirë mbi 30 mijë metra katrorë, një Mega Park i cili do t’u jepte një pamje të mirë dhe një hapësirë rekreative edhe banorëve të kësaj zone, por siç e shihni, punimet janë ndërprerë dhe kjo zonë është në këtë gjendje që është”, tha Luçi.

Ai tha se kanë kërkuar që përmes amendamenteve të ndahen mbi katër milionë denarë për vazhdimin e punimeve në këtë park, por sipas tij, kërkesa nuk është pranuar nga Qyteti i Shkupit, me arsyetimin se rregullimi i parkut është kompetencë e Komunës së Çairit.

Ndërkaq, këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, thotë se për afatet konkrete duhet të prononcohen shërbimet kompetente të Qytetit. Ai shtoi se do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje dhe të mbështesë realizimin sa më të shpejtë të projektit.

“Sa u përket afateve konkrete, ato duhet të konfirmohen nga shërbimet kompetente të Qytetit të Shkupit. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje dhe të mbështesim realizimin sa më të shpejtë të projektit”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk thonë se fillimisht duhet të përfundojë ndërtimi i bulevardit Brigada Maqedonase-Kosovare, i cili kalon përskaj kësaj zone. Pas realizimit të këtij projekti, sipas tyre, parashihet edhe rregullimi i parkut. Nga atje nuk bëjnë të ditur për afatet konkrete.

“Qyteti i Shkupit është duke punuar në mënyrë aktive në ndërtimin e bulevardit Brigada Maqedonase-Kosovare në Komunën e Çairit, në segmentin nga kryqëzimi me rrugën “Xhon Kenedi” deri te kryqëzimi me bulevardin “Bosnja dhe Hercegovina”. Pas realizimit të këtij projekti të rëndësishëm për këtë pjesë të qytetit, parashihet edhe rregullimi i parkut në Çair”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Portalb.mk e pyeti edhe Komunën e Çairit se pse është zvarritur ky projekt dhe kur do të përfundojë, por nga ky institucion, si në shumë raste tjera, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Kujtojmë se në mars të vitit 2023, Qyteti i Shkupit së bashku me Komunën e Çairit në kuadër të programit “Për Shkupin Modern” e promovuan Mega Parkun prej 30 mijë metra katrorë në Çair, gjegjësisht në rrugën Brigada Maqedonase-Kosovare.

Në promovimin e këtij parku, sipas projektit , u tha se do të vendosen dy kënde të reja sportive, dy kënde lojërash për fëmijë, dy kënde për kafshët shtëpiake, një kënd për sport apo fitnes, 26 pushimore, korsi për këmbësorë, shatërvanë dhe se do të ketë 500 penë dhe fidanë të rinj, rrjet hidranti të ri dhe lulishte.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianKomuna e ÇairitPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQyteti i ShkupitVideo LajmeVLEN koalicioni