Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë kundër personit me inicialet M.N., në cilësinë e personit përgjegjës – menaxher i një kompanie për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale të vazhduar “Përvetësim në detyrë”, nga neni 354 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Sipas dëshmive të siguruara, ekzistojnë dyshime se i kallëzuari, në cilësinë e personit përgjegjës – menaxher, gjatë periudhës nga 1 janari 2022 deri më 31 dhjetor 2025, duke shfrytëzuar autorizimet e kompanisë për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme paratë e arkëtuara nga personat fizikë dhe juridikë gjatë regjistrimit të automjeteve, të cilat ishin dedikuar për disa subjekte në emër të detyrimeve publike.
Në këtë mënyrë, subjektit juridik i ka siguruar përfitim të kundërligjshëm pasuror në vlerë të përgjithshme prej 41.518.042 denarësh, në dëm të komunave, Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Shërbimit për Ndihmë dhe Informim, Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.
Përveç kësaj, me qëllim të fshehjes së gjurmëve të veprës penale, gjatë viteve 2022 dhe 2024, i kallëzuari ka kryer fshirje të kundërligjshme të detyrimeve publike në vlerë të përgjithshme prej 17.090.623 denarësh, duke zvogëluar në evidencën kontabël borxhin ndaj subjekteve të përmendura dhe duke paraqitur një shumë më të vogël të detyrimeve në bazë të detyrimeve publike.