Prej sot u lëshuan në përdorim 20 kilometra të autostradës Kërçovë-Ohër edhe atë, nga fshati Vrbjani drejt Ohrit deri në fshatin Botun, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij tha se, Qeveria arriti të zhbllokojë një nga projektet më të mëdha dhe më të bllokuara infrastrukturore në Maqedoni.
“Projekti që për vite me radhë qëndroi si simbol i ngecjes, si një pamje e turpshme për një shtet që rrotullohej në vend, sot është simbol i një kohe të re. Shtatë vjet zgjatën pritjet, premtimet pa vepra, harxhimi i kotë i kohës, parave dhe nervave të qytetarëve. Shtatë vjet marrëdhënie pronësore të pazgjidhura, projekte të ndryshuara, institucione jofunksionale dhe punë e papërgjegjshme. Sot, vetëm një vit pasi e fituam besimin e popullit, dëshmojmë se çfarë do të thotë punë e vërtetë – me vepra, jo me fjalë. Çdo metër i kësaj autostrade është ndërtuar me punë të palodhshme, por edhe me një vullnet të qartë për përparim, një vullnet për t’i vënë fund dështimeve të së kaluarës. Dhe nuk ndalemi këtu – vitin e ardhshëm, autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë plotësisht dhe do të vihet në funksion”, tha Mickoski.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, tha se është një kënaqësi e madhe të shihen kilometrat e parë të realizuar dhe se me këtë autostradë do të udhëtohet më shpejt edhe drejt Tetovës dhe Shkupit, por gjithashtu do të lidhet Maqedonia me Shqipërinë dhe pa dyshim do të hapen edhe qendrat e mëdha turistike Ohri dhe Struga për të gjithë vizitorët.
“Premtova që për problemet do të flas kur të përfundojmë të gjithë autostradën në fund të vitit të ardhshëm. Vetëm dua të theksoj dy gjëra: e para, që ky projekt ishte simbol i paaftësisë së qeverisë së kaluar të LSDM-së dhe BDI-së. Ky ishte një projekt i harruar dhe i braktisur, pa punëtorë, pa inxhinierë dhe pa makineri. Sot ky është një projekt që dëshmon përkushtimin dhe punën e kësaj qeverie, dhe kjo është dallimi kyç mes nesh dhe kundërshtarëve tanë politikë”, tha Nikollovski.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër filloi në shkurt të vitit 2014 dhe po realizohet nga kompania kineze “Sinohydro”. Gjatësia e trasës është 57 kilometra, ndërsa vlera fillestare e kontratës ishte 373 milionë euro. Afati fillestar për përfundim ishte qershori i vitit 2018, por punimet janë shtyrë disa herë për shkak të problemeve serioze inxhinierike, juridike dhe administrative. Pikërisht për shkak të këtyre problemeve, çmimi është rritur dhe sipas disa burimeve jozyrtare tani arrin mbi 600 milionë euro.
- LEXO: Ministri i ri Nikollovski premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë në vitin 2026
- LEXO: Afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër u zgjat edhe për tre vjet
- LEXO: Ky është afati që Qeveria e caktoi për mbarimin e autostradës Kërçovë – Ohër
- LEXO: Revizioni: Një kilometër i autostradës Kërçovë-Ohër kushton 9 milionë euro
- LEXO: Pas dy projektimeve, duhet edhe një projektim shtesë për autostradën Kërçovë – Ohër, paralajmëroi Boçvarski