Nga Drejtoria e Doganave njoftojnë se, pas një hetimi të zhvilluar, është zbuluar dhe shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar i trafikimit të drogës. Sipas Drejtorisë, gjatë aksionit janë arrestuar pesë persona dhe janë sekuestruar 79 kilogramë marihuanë, transmeton Portalb.mk.
“Aksioni filloi pas një informacioni të marrë nga Njësia e Inteligjencës, pas së cilit ekipet mobile të Njësisë për Operacione ndërmorën veprime operative dhe, në pikën kufitare Dojran, në dalje nga shteti, penguan një tentativë për trafikim të paligjshëm të 79 kilogramëve marihuanë, e cila ishte destinuar për tregun turk. Marihuana u sekuestrua, ndërsa shoferi, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, u arrestua nga Njësia e Hetimeve, e cila, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PP NKOK), filloi një procedurë të plotë parahetimore me qëllim zbulimin e të gjithë autorëve”, thonë nga Dogana.
Nga atje shtojnë se, gjatë procedurës parahetimore, u konstatua se kamioni i drejtuar nga shoferi nga Bosnjë-Hercegovina kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut i ngarkuar me profile hekuri, të cilat duhej t’i transportonte drejt Greqisë.
“Pas një marrëveshjeje paraprake me persona nga Maqedonia e Veriut, në një lokacion të paracaktuar u krye ngarkimi i marihuanës në kamion dhe më pas kamioni u vulos me një vulë doganore që shoferi e kishte me vete. Ai vazhdoi rrugën drejt Greqisë përmes pikës kufitare Dojran, ku u ndalua nga njësitë mobile”, shtojnë nga Drejtoria e Doganave.