Vetëm dy javë pas vendosjes së studentëve në konviktin e rinovuar studentor “Stiv Naumov”, ekipet e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup dje është dashur të intervenojnë për shkak të bllokimit të kanalizimit në një prej tualeteve, të shkaktuar nga hedhja e pecetave të lagështa që nuk shpërbëhen, transmeton Portalb.mk.
Rasti ka shkaktuar reagim nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila përmes rrjeteve sociale ka publikuar fotografi nga dhoma dhe u ka bërë thirrje studentëve për më shumë ndërgjegjshmëri dhe përgjegjësi ndaj të mirave publike.
“Kemi siguruar kushte më moderne për qëndrimin e studentëve në konviktin studentor ‘Stiv Naumov’. Por, që këto kushte të mbeten të tilla, nevojiten përgjegjësi, ndërgjegjshmëri dhe kujdes nga të gjithë ata që e përdorin konviktin. Materialet që nuk shpërbëhen nuk i përkasin tualetit dhe mund të shkaktojnë probleme serioze me kanalizimin”, ka porositur Janevska.
Ajo theksoi se konvikti i rinovuar është një investim kapital në të cilin janë investuar shumë punë dhe mjete, të destinuara si për gjeneratat e tanishme, ashtu edhe për ato të ardhshme. Ministrja u bëri thirrje të rinjve të tregojnë respekt ndaj investimit të bërë dhe të jenë shembull i sjelljes së përgjegjshme.
Pas intervenimit të ekipeve kompetente, problemi është eliminuar, ndërsa hapësirat në konvikt janë pastruar.
Në konviktin i cili u hap më 30 shtator, me kapacitet prej 1.150 shtretërish, janë krijuar kushte evropiane.
Konvikti “Stiv Naumov” u mbyll tërësisht në korrik 2024 për shkak të rikonstruksionit të paralajmëruar. Studentët ishin shpërngulur rreth dhjetë ditë më herët, ndërsa u mbyllën edhe objektet që nuk do të ishin drejtpërdrejt pjesë e punimeve, pasi pritej ndërprerja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Në atë kohë, konvikti përballej me kushte të këqija, përfshirë lagështirë, rrjedhje në tualete, përmbytje dhe probleme me brejtës e insekte. Rikonstruimi parashikonte ndërrimin e instalimeve elektrike dhe hidraulike, fasadën energjetike, sistemet e ngrohjes, dyerve e dritareve, si dhe rinovimin dhe mobilimin e hapësirave.