Ministri i ri Nikollovski premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë në vitin 2026

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut në krye me Hristijan Mickoskin dhe ministrin e transportit, Aleksandar Nikollovskin, që në ditën e parë të marrjes së mandatit, ka premtuar që autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë në vitin 2026, transmeton Portalb.mk.

“Nuk dua të jap afate, ne në programin tonë kemi shënuar që deri në fund të vitit 2026-të, që mendoj se është afat real. Unë gjithsesi që do të bëj gjithçka me ekipin tim dhe së bashku me drejtorin e ri të Ndërmarrjes Publike për rrugë shtetërore, sepse mendoj se ky aktual nuk ka kapacitet të udhëheq atë ndërmarrje”, deklaroi Nikollovski.

Ai theksoi që do të angazhohet që afati për përfundimin e kësaj autostrade të jetë sa më afër.

Kërkesa e parë që kishte parashtruar ai sot në ministri ishte dokumentacioni rreth këtij projekti, duke I kategorizuar problemet në tri grupe: probleme me kontraktuesin, probleme me pronar dhe problemet me rrëshqitjen e dheut.

“Sot kam dërguar letër deri te të gjitha institucionet që lidhën me ministrinë për transport, duke përfshirë edhe Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore, ku kam kërkuar që të më dërgojnë raport deri ku janë me realizimin e projekteve dhe pse projektet janë bllokuar”, deklaroi Nikollovski.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 1 prill në seancën urgjente të 150-të me 78 vota “për” e mbështeti propozimin e Qeverisë që pas procedurës së shkurtuar të miratohet projektligji për plotësimin e Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e rrugës Miladinovc – Shtip dhe autostrada Kërçovë – Ohër. Me këtë projektligj kërkohet të shtyhet afati për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër deri në fund të vitit 2026.

Kujtojmë se, ndërtimi i autostradës ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë, janë nënshkruar 5 aneks kontrata dhe me disa prej tyre është rritur edhe çmimi. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës. Drejtori i NP RRSh-së, Ejup Rustemi, deklaroi më 18.02.2024 se, autostrada Kërçovë-Ohër është një projekti i keq, por edhe pse i kanë shqyrtuar të gjitha mundësitë, kur të realizohet 80% e projektit, nuk ka kthim mbrapa.

"MakedonijaPat" NP e mirëmbajtjes se rrugëveAutostrada Kërçovë – OhërAutostradë(a)Ministria e Transportit (MT)NP “Rrugët e Maqedonisë” – “Rrugët Shtetërore”Qeveria e Maqedonisë së VeriutRikonstruimi i rrugëve - të dëmtuara - gropa