Sistemi pensional në vend është stabil dhe i sigurt, ndërsa pensionistët nuk duhet të kenë asnjë arsye për t’u shqetësuar. Për momentin, kufiri i moshës së pensionimit nuk do të rritet, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
Ai tha se i marrin parasysh të gjitha propozimet dhe vërejtjet për reforma, por se vendimin përfundimtar e marrin ata si Qeveri.
Stabiliteti financiar, shtoi ai, nuk sigurohet duke shkurtuar të drejtat e qytetarëve, por duke identifikuar mjetet aty ku keqpërdoren dhe duke i ridestinuar për nevoja reale.
Si shembull e përmendi reformën aktuale në sektorin e mbrojtjes sociale, ku, sipas tij, janë konstatuar anomali serioze.
“Kemi përfitues fiktivë ose përfitues të cilët, sipas të gjitha parametrave, nuk duhet të jenë përfitues të ndihmës minimale të garantuar ose të sigurimit social. Nuk bëhet fjalë për pak para. Nëse i analizoni në nivel vjetor, do të arrini në një shumë prej një deri në një miliard e gjysmë denarë”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për nevojën e reformimit të sistemit pensional.
Gjithashtu, si shembull e përmendi edhe SHA EMV-në, ku, siç tha, gjithashtu mund të shihet suksesi i reformave të Qeverisë në disa sektorë ku aktualisht po zhvillohen kontrolle të hollësishme. Sipas tij, kompania që më parë kishte shënuar humbje prej 180 milionë eurosh, në tre tremujorët e parë të këtij viti tashmë ka bilanc pozitiv dhe ka realizuar fitim prej rreth 6.5 milionë eurosh.
Duke iu referuar kritikave të Këshillit Fiskal se rritja lineare e pensioneve ka prodhuar deficit shtesë në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI), kryeministri theksoi se çdo vendim politik ka anët e veta pozitive dhe negative, por se në këtë rast përfitimet janë shumë më të mëdha.
“Përgjegjësinë për udhëheqjen e Qeverisë dhe politikat e ka Qeveria. Të gjitha këshillat nga cilido faktor tjetër ne i marrim parasysh, i analizojmë me kujdes dhe në bazë të asaj analize marrim vendime politike. Ne kemi vlerësuar se politika që nënkuptonte rritjen lineare të pensioneve, nga njëra anë nënkuptonte ngarkesë shtesë për buxhetin, por nga ana tjetër nënkuptonte ulje të shkallës së varfërisë në vend, në të cilën ishim liderë në rajon. Tani kjo ka ndryshuar. Kjo Qeveri i ka rritur pensionet mesatarisht më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e Maqedonisë së pavarur“, theksoi Mickoski.
Ai vërejti se gjatë krijimit të shtyllës së dytë të detyrueshme pensionale në të kaluarën nuk ishte marrë parasysh rezultati afatgjatë pas 10 ose 15 vitesh, me të cilin shteti përballet sot, por theksoi se pavarësisht këtyre sfidave, sistemi është likuid.
Sipas tij, trendi i mungesës së fuqisë punëtore është i pranishëm kudo në Evropë dhe në botë.
“Prandaj e ndryshuam Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe mundësuam që secili që ndihet i aftë për punë të mund ta zgjasë jetën e tij të punës deri në moshën 67, 68, madje në fusha të caktuara edhe deri në 70 vjeç. Natyrisht, nëse kontrata me punëdhënësin rinovohet çdo vit”, tha Mickoski.
Sipas tij, aktualisht në vend janë rreth 709 mijë të punësuar dhe për një zhvillim optimal ekonomik nevojiten rreth 800 mijë.
“Ne nuk guxojmë të jemi nën shifrën prej 800 mijë të punësuarish nëse duam të kemi rritje të mirë ekonomike, përkatësisht rritje ekonomike pozitive prej pesë ose më shumë se pesë përqind. Pra, në këtë moment duhet të gjejmë edhe 90 mijë të punësuar të rinj, të cilët do të krijojnë të ardhura për punëdhënësit. Ne duhet ta bëjmë këtë. Kam frikë se numri i të punësuarve, sipas projeksioneve për 15–20 vitet e ardhshme, mund të bjerë nën 500 mijë. Atëherë do të shfaqen problemet e vërteta edhe për sistemin pensional, edhe për atë shëndetësor, edhe për shtetin dhe ekonominë në tërësi“, shtoi Mickoski.
Prandaj, thotë ai, kur flet për politika pro-familjare, duhet të merret seriozisht, sepse, siç thotë, ky është drejtimi dhe mënyra në të cilën duhet të ecet.
“Në të kundërtën, do të duhet të importohet fuqi punëtore, gjë që sjell me vete sfida të tjera. Ja, mund të shohim sot se çfarë po ndodh në vendet shumë të zhvilluara kur kemi importim të pakontrolluar të fuqisë punëtore, i cili sjell me vete sfida, mentalitet të ndryshëm, kulturë të ndryshme“, tha Mickoski.
Ndryshe, LSDM-ja akuzoi se deficiti në Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor është rritur në nivelin historik prej një miliard eurosh, që përbën më shumë se 14 për qind të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, ndërsa pagesa e të ardhurave për pensionistët aktualë dhe të ardhshëm është vënë në pikëpyetje.
Në një konferencë për media, deputetja dhe nënkryetarja e LSDM-së, Jovana Trençevska, tha se masa me të cilën nga 1 korriku kontributi për Fondin e Sigurimit Pensional dhe Invalidor u rrit me një pikë përqindjeje përmes ridrejtimit të mjeteve nga Agjencia e Punësimit, nuk ka dhënë rezultat, ndërsa mungesa e mjeteve vazhdon të gjenerojë paqëndrueshmëri. Ajo theksoi se projeksionet e organeve eksperte paralajmërojnë thellim të mëtejshëm të hendekut financiar, deri në 1.3 miliardë euro në vitet në vijim.
Opozita pretendon se pushteti ekzekutiv planifikon ta kërkojë zgjidhjen e kësaj situate përmes tatimit shtesë mbi punën dhe ngarkesës së re mbi sektorin privat. Sipas partisë, këto hapa do të bien drejtpërdrejt mbi shpinën e punëtorëve përmes uljes së të ardhurave të tyre mujore neto, duke pasur parasysh se kompanitë nuk do të mund ta përballojnë rritjen e kostove për kontributet.
“Po u prek xhepin qytetarëve, paratë e kompanive dhe paralajmëron rritjen e kontributeve për sigurimin pensional. Punëdhënësit nuk do të mund ta përballojnë koston më të madhe të punësimit dhe kjo do të nënkuptojë pagë neto më të ulët për punëtorët. Paga më të ulëta dhe pensione të pasigurta janë rezultati i këtyre politikave“, deklaroi Trençevska.
Përveç presionit mbi pagat, deputetja e LSDM-së kritikoi edhe synimet e pushtetit për të përdorur mjetet e akumuluara nga sigurimi i detyrueshëm pensional kapital. Ajo paralajmëroi se investimi i këtyre parave në projekte të dyshimta investuese përbën rrezik të drejtpërdrejtë për kursimet private të qytetarëve, të cilët prej dekadash ndajnë një pjesë të të ardhurave të tyre mujore për një pleqëri të sigurt.
“Nuk ka para, prandaj pushteti dëshiron të prekë edhe paratë nga shtylla e dytë pensionale. Arsyetimi më i ri për t’ua marrë paratë qytetarëve dhe pensionistëve të ardhshëm janë investimet e trilluara. Qytetarët që kanë paguar për vite me radhë mund të mbeten pa kursimet e tyre dhe pa një mbështetje të rëndësishme për pensionin e ardhshëm“, theksoi Trençevska.
Nga LSDM-ja thanë se, në vend që përmes uljes së standardit të qytetarëve dhe manovrave të rrezikshme financiare me kursimet pensionale, Qeveria duhet menjëherë t’i ndalë shpenzimet joproduktive, t’i rishikojë prokurimet publike dhe në mënyrë institucionale ta sanojë deficitin në fondin shtetëror pensional.