Ministria e Punëve të Brendshme, në kuadër të fushatës ndërkombëtare të ROADPOL-it “Focus on the Road”, nga dje deri më 11 tetor po zhvillon kontrolle të shtuara në komunikacion, të fokusuara në përdorimin e parregullt të telefonave celularë, kufjeve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, transmeton Portalb.mk.
Siç informojnë nga MPB, fushata po zhvillohet njëkohësisht në 34 shtete evropiane, me qëllim të përbashkët uljen e rreziqeve të shkaktuara nga shpërqendrimi dhe rritjen e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
“Shkrimi i mesazheve, bisedat telefonike, kontrollimi i njoftimeve apo përdorimi i rrjeteve sociale gjatë drejtimit të automjetit e largojnë vëmendjen nga rruga. Mjaftojnë vetëm disa sekonda pakujdesi që shoferi të mos e vërejë me kohë rrezikun dhe të mos reagojë”, thonë nga MPB.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion të jenë të përgjegjshëm dhe tërësisht të përqendruar në rrugë.
“Mos lejoni që një shikim në ekran të jetë shkak për një tragjedi në komunikacion. Vozitni me kujdes, shikoni rrugën. Telefonin lëreni për më vonë”, apelojnë nga MPB.