Tre persona kanë humbur jetën dhe katër janë lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në ora 04:50, në rrugën magjistrale në Kërçovë, transmeton Portalb.mk.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme, Ohër, bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në mes të veturës “Peugeot” me targa të Kërçovës, i drejtuar nga 19-vjeçari S.I. nga Kërçova, dhe një veturë “Volkswagen Golf” me targa të Kërçovës, e drejtuar nga 32-vjeçari K.E. nga fshati Trapçin Dol i Kërçovës.
Nga plagët e marra në vendngjarje, siç thuhet në njoftimin e policisë, kanë ndërruar jetë drejtuesi i “Golfit”, 32-vjeçari K.E., si dhe pasagjeri dhe bashkëfshatari i tij, 20-vjeçari A.S.
Drejtuesi i makinës Peugeot, S.I. iu nënshtrua plagëve të marra gjatë rrugës për në klinikat e kompleksit “Nënë Tereza” në Shkup.
Në aksident lëndime të rënda kanë pësuar pjesa tjetër e pasagjerëve nga “Peugeot”, përkatësisht 19-vjeçari T.S. nga Kërçova, V.P. (21) nga fshati Podvis, Kërçovë, P.K. (21) nga Kërçova dhe një i mitur nga Kërçova. Lëndimet e tyre janë konstatuar në spitalin “Shën Erasmus” në Ohër dhe në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza”.
Në vendin e aksidentit, shtoi SPB Ohër, ekipet e prokurorit publik dhe policor kanë kryer hetime dhe me urdhër të prokurorit publik, trupat e të ndjerëve janë dërguar për obduksion.