Agjencia për Siguri Kombëtare zbuloi rrjet propagandistik rus në Maqedoni

Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) sot njoftoi se, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Prokurorinë Publike, po ndërmerr aktivitete kundër një rrjeti propagandistik në vend, i cili ka “agjendë destruktive dhe keqdashëse” dhe ndikon në diskursin publik në favor të interesave të huaja, përkatësisht ruse, transmeton Portalb.mk.

Sipas ASK-së, para dy javësh, më 18 shtator të këtij viti, janë ndërmarrë veprime hetimore kundër një shtetasi të Maqedonisë, i cili ishte “i lidhur me faktorë të huaj që janë krijues të një aparati propagandistik me një rrjet portalesh të integruara edhe në hapësirën mediatike të Maqedonisl”. ASK-ja nuk e ka bërë të ditur identitetin e tij.

Në shtëpinë e tij është kryer bastisje dhe janë sekuestruar sende që po i nënshtrohen ekspertizës. Sipas Agjencisë, ekziston dyshim i bazuar për tre vepra penale: “Shkaktimi i urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare” sipas nenit 319, “Zbulimi i sekretit zyrtar” sipas nenit 360 dhe “Përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik” sipas nenit 394-g të Kodit Penal.

Në njoftimin e Agjencisë thuhet se “aktorët e vërtetë” pas rrjetit fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara, të regjistruara me domene maqedonase të internetit, dhe se i gjithë operacioni është “në funksion të interesave ruse”.

“Aktorët e vërtetë të këtij rrjeti propagandistik, i cili është në funksion të interesave ruse, fshihen përmes pseudo-portaleve të klonuara të regjistruara me domen maqedonas të internetit. Përmes këtyre pseudo-portaleve përhapen lajme të rreme, dezinformata dhe bëhet riformësimi i narrativave për ngjarjet aktuale, duke minuar besimin në institucione dhe duke nxitur urrejtje dhe intolerancë etnike dhe kombëtare”, njoftoi ASK-ja.

Siç shtojnë nga atje, këto aktivitete janë vazhdimësi e “aktiviteteve hibride proruse të penguara më herët të një shtetasi maqedonas, të lidhur me këto rrjete propagandistike, kundër të cilit ishte ngritur edhe kallëzim penal për Përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes sistemit kompjuterik sipas nenit 394-g të Kodit Penal”.

Agjencia në njoftim thekson se, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë aktivitete për “zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve subversive-propagandistike përmes një rrjeti portalesh të lidhura me struktura politike rajonale proruse, me të cilat drejtpërdrejt minohen proceset strategjike eurointegruese të vendit”.

Mediat në Maqedoni (360 Stepeni, Fokus) edhe më herët kanë shkruar për raste të përhapjes së propagandës nën ndikim të huaj, në të cilat rol kryesor kishte Fondacioni Maqedonia i Bullgarisë dhe kryetari i tij Viktor Stojanov, i cili tani është persona non grata në vend.

Nga Fondacioni më vonë nuk e fshehën se financiarisht mbështesin media në Maqedoni. Në një njoftim të publikuar nga agjencia bullgare BTA në korrik të këtij viti, Stojanov reagoi ndaj informacioneve se institucionet maqedonase po hetonin rreth njëzet media online dhe kanale komunikimi.

Sipas tij, bëhet fjalë për “hetime të rreme të drejtuara kundër mediave të pavarura qytetare në Maqedoninë e Veriut, qëllimi i të cilave është t’i mundësojnë qeverisë të arrestojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë të paligjshme redaktorët dhe gazetarët e tyre”.

“Qëllimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut është të nxisë gjuhën e urrejtjes kundër Bullgarisë dhe të përshkallëzojë tensionet mes dy shoqërive përmes mbylljes me forcë të mediave të vetme të lira, qytetare në vend”, thuhej më tej në atë njoftim të Stojanovit.

Në gusht të këtij viti, e përjavshmja Fokus publikoi se AKS-ja dhe MPB-ja po hetojnë një rrjet prej rreth njëzet mediash dhe kanalesh komunikimi, ku përveç mediave online, përfshihen edhe kanale në YouTube, grupe në Facebook dhe profile në Instagram, ku mbizotërojnë përmbajtje pro-bullgare dhe antimaqedonase. Në shkrimin e Fokus thuhet se Stojanov kishte folur publikisht edhe për mbledhjen e mjeteve për financimin e mediave në Maqedoni dhe për organizimin politik të bullgarëve në vend.

Më herët, më 4 mars të këtij viti, ASK-ja njoftoi se kishte zbuluar “aktivitete subversive-propagandistike” të aktorëve vendas dhe të huaj joshtetërorë dhe kishte ngritur kallëzim penal së bashku me MPB-në dhe PTHP-në. Sipas njoftimit të atëhershëm të Agjencisë, “personat e përfshirë në kallëzimin penal, përmes shtypjes dhe shpërndarjes së materialeve propagandistike, planifikonin të nxisnin urrejtje ndaj shtetit dhe identitetit maqedonas dhe të shkaktonin tensione, ndërsa përmes rrjetit social Facebook, në faqen ‘Të dhëna historike për Maqedoninë’, shpërndanin përmbajtje që shkaktojnë diskriminim kombëtar dhe etnik”.

ASK-ja atëherë pretendonte se aktivitetet ishin të koordinuara dhe drejtoheshin nga një shtetas bullgar, i cili përdorte edhe një “rrjet bot-esh të portaleve informative” për nxitjen e urrejtjes, intolerancës dhe dhunës ndërmjet qytetarëve maqedonas dhe bullgarë.

Sipas ASK-së, ai vepronte si aktor joshtetëror proksi në funksion të minimit hibrid të proceseve strategjike eurointegruese të Maqedonisë dhe cenimit të sigurisë evropiane.

Emri i këtij shtetasi as atëherë nuk ishte bërë zyrtarisht i ditur, por disa media në mënyrë jozyrtare e kishin identifikuar pikërisht Stojanovin, megjithëse kjo nuk ishte konfirmuar asnjëherë nga Prokuroria.

Ajo që është karakteristike është se Agjencia për Siguri Kombëtare për herë të parë flet për aktivitete që janë “në funksion të interesave ruse”, si dhe për portale “të lidhura me struktura politike rajonale proruse”.

Megjithatë, publikisht nuk janë bërë të ditura nëse ekziston dhe cila është lidhja mes Fondacionit Maqedonia dhe shtetit rus.

Pavarësisht kësaj, ekzistenca e një infrastrukture të drejtpërdrejtë të propagandës digjitale ruse të orientuar drejt Maqedonisë është e dokumentuar mirë.

Bëhet fjalë për rrjetin “Pravda”, i njohur edhe si “Portal Kombat”, i cili sipas shërbimit francez Viginum, është një rrjet i madh dhe i koordinuar ueb-faqesh që marrin dhe përkthejnë në masë përmbajtje nga mediat shtetërore ruse, kanalet proruse në Telegram dhe burime të tjera.

Një hulumtim i publikuar nga “Vërtetmatësi” dhe Antidisinfo.net ka konstatuar se rrjeti ka infrastrukturë të veçantë për Maqedoninë e Veriut, përfshirë nën-domenin north-macedonia.news-pravda.com dhe kanalin në Telegram t.me/pravdamkcom.

Hulumtimi i Fondacionit Metamorfozis për efektin e dezinformatave dhe ndikimeve të huaja tregon se perceptimi për praninë e burimeve dhe entiteteve që promovojnë interesat ruse në vend është rritur ndjeshëm: nga 17 përqind e të anketuarve në vitin 2023 në 29 përqind në vitin 2025.

Agjencia për Siguri Nacionale (Kombëtare)Fondacioni Metamorfozis (Metamorphosis)Maqedonia e Veriut RMVPropagandë - ManipulimRusia