Pas shumë zvarritjeve të procedurave dhe vonesave me vite, çerdhja e re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës u hap sot, raporton Portalb.mk.
Komuna e Tearcës sot i hapi dyert e çerdhes së re “Foleja”.
“Me shumë gëzim vizitova sot ambientet e çerdhes, ku takova vogëlushët që po e përjetojnë ditën e tyre të parë në këtë hapësirë të re, të krijuar për kujdes, edukim dhe zhvillim. Së shpejti, në mënyrë zyrtare do e bëjmë hapjen solemne”, njoftoi kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
- LEXO: Filloi regjistrimi i fëmijëve në çerdhen e re në Komunën e Tearcës, në shtator pritet t’i hapë dyert
Pas dy përgjigjeve negative, Ministria e Financave muaj më parë dha pëlqim për punësimet që për shkak të mosrealizimit të tyre pamundësohej hapja e çerdhes së re në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës. Ndërsa më pas u publikuan edhe konkurset për punësimet në çerdhe.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore ishin AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore ishin EuroConsult LTD-Shkup.