Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) publikoi raportin e revizionit të performancës së Sistemit Kombëtar të Informacionit Shëndetësor “Termini Im”, i cili zbulon dobësi serioze sistemore, menaxheriale dhe të sigurisë. Për mirëmbajtjen e këtij sistemi dhe sistemeve të ndërlidhura në institucionet shëndetësore publike janë shpenzuar 333,3 milionë denarë, përkatësisht 5,42 milionë euro, ku vetëm 9 përqind e mjeteve kanë të bëjnë me Sistemin Kombëtar të Informacionit Shëndetësor, ndërsa 91 përqind me sisteme të tjera në shëndetësinë publike, transmeton Portalb.mk.
Në periudhën nga 1 janari 2021 deri më 30 prill 2026, sistemi “Termini Im” nuk ka qenë i mbuluar me kontrata për mirëmbajtje gjithsej 738 ditë, përkatësisht 37,9 përqind të kohës, për shkak se kontratat janë lidhur në baza vjetore.
Në raportin e ESHR-së thuhet se termi “Termini Im” nuk është regjistruar dhe mbrojtur ligjërisht nga institucionet kompetente, por nga një operator ekonomik me të cilin Ministria e Shëndetësisë lidh kontrata për mirëmbajtjen e sistemit. Kjo, sipas revizorëve, do të thotë se Ministria nuk është bartëse e të drejtave të autorit mbi termin “Termini Im”, por këto të drejta kontrollohen nga një operator ekonomik privat dhe ekziston rrezik për mosmarrëveshje lidhur me pronësinë intelektuale të “Terminit Im”.
Drejtoria për Shëndetësi Elektronike ka plotësuar vetëm 29 përqind të vendeve të parapara të punës, ndërsa një pjesë e mungesave në staf plotësohen përmes kontratave njëvjeçare për kryerjen e punëve.
Kontrollet e revizorëve kanë konstatuar gjithashtu se ka mungesë të të dhënave nga spitalet.
Analiza ka treguar se Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” në Shkup nuk regjistron fare ndërhyrjet kirurgjikale në “Termini Im”, ndonëse është një nga spitalet më të ngarkuara. Gjithashtu, gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, në këtë spital janë dërguar SMS-njoftime për vetëm 10,1 përqind të udhëzimeve të realizuara.
Revizorët gjatë kontrollit në terren kanë konstatuar mungesë të listave të kontrolleve të caktuara në disa institucione shëndetësore publike. Për shkak të praktikave të tilla është krijuar rrezik që pacientët pa termine të caktuara, të cilët kanë udhëzime prioritare dhe urgjente, të pranohen para atyre që kanë pritur në mënyrë të rregullt me muaj të tërë.
Në raportin e ESHR-së thuhet se nevojitet përmirësimi i infrastrukturës së TI-së në shëndetësinë publike dhe sigurimi i kushteve për vazhdimësi dhe stabilitet në funksionimin e sistemeve, ndërsa nevojitet të vendosen zgjidhje të përshtatshme për kopje rezervë në rast të rënies së sistemit.
Nga investimet e përgjithshme në institucionet shëndetësore publike për sisteme të tjera informative, madje 48 përqind janë të përqendruara te tri kompani softuerike, gjë që, sipas revizorëve, tregon rritje të rrezikut nga përqendrimi dhe konkurrenca e kufizuar.
Gjithashtu, është konstatuar se nuk janë miratuar rregulla të përshtatshme për qasjen në të dhënat personale dhe mjekësore, dhe as nuk janë emëruar zyrtarë për mbrojtjen e tyre. Kjo krijon rrezik serioz nga qasja e paautorizuar dhe keqpërdorimi i të dhënave të pacientëve, për çka ka paralajmëruar edhe Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Revizorët i kanë drejtuar një sërë rekomandimesh Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë për Shëndetësi Elektronike për vendosjen urgjente të një kornize ligjore, mbrojtjen e të dhënave personale, mirëmbajtjen e vazhdueshme dhe forcimin e sigurisë së TI-së.