Filloi viti i ri akademik në RMV, politikanët i pritën studentët e rinj

Rreth 13.800 studentë të rinj sot e kanë orën e parë në universitetet e Maqedonisë së Veriut, në ditën e parë të vitit akademik 2026-2027. Këtë vit, në studimet universitare janë të regjistruar rreth 53.500 studentë, prej të cilëve 46.925 janë studentë të rregullt, ndërsa rreth 6.600 studentë me korrespondencë, transmeton Portalb.mk.

Në universitetin më të madh, “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ora e parë akademike u mbajt në sheshin pranë monumentit të Kirilit dhe Metodit. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, u tha studentëve se ata janë potenciali më i madh që ka Maqedonia, pasi janë profesionistët, inovatorët dhe liderët e ardhshëm që do ta ndërtojnë të ardhmen e shtetit.

“Universiteti është vendi i duhur për të mësuar, për të bërë pyetje dhe për të hulumtuar. Jini studentë kureshtarë dhe të guximshëm në kërkimin e njohurive të reja”, tha Janevska.

Kryeministri Hristijan Mickoski sot mori pjesë në orën e parë akademike në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, ku studentëve të rinj u tha se në asnjë vend nuk është më bukur sesa në shtëpi.

“Jeta e vërtetë është lufta që ju pret, lufta për familjen tuaj dhe lufta për vendlindjen tuaj, Maqedoninë. Kudo që të shkoni, kthehuni në shtëpi dhe së bashku të luftojmë për vendin tonë më të bukur në botë, Maqedoninë”, tha Mickoski para studentëve. Ai u bëri thirrje edhe kolegëve të tij, profesorëve, që t’u përcjellin njohuri të rinjve, pasi nga kjo varen familjet e tyre në të ardhmen, fëmijët dhe nipërit e tyre.

Në 23 fakultete të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” këtë vit kishte 8.851 vende për studentë të rinj, ndërsa gjithsej studiojnë 26.000 studentë, prej të cilëve 23.400 në studimet universitare, ndërsa të tjerët në studimet master dhe doktoraturë. Në ciklin e parë të studimeve në UKIM ka 242 programe studimore, 313 në ciklin e dytë dhe 99 në ciklin e tretë. Pas dy afateve të regjistrimit, në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir janë regjistruar 1.062 studentë, ose 77 më shumë se vitin e kaluar.

Ora e parë akademike u mbajt edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Universitetin “Shën Apostull Pali” në Ohër, si dhe në rreth njëzet universitetet e tjera që funksionojnë në vend.

Hristijan Mickoski HristianMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Universitet(e)Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi"Universiteti “Nënë Tereza”Universiteti i Tetovës (UT)Vesna Janevska