Transportuesit e Maqedonisë së Veriut me vendim të ri në lidhje me protestën dhe bllokimin e pikave kufitare

Shoqata “Makam-trans” njoftoi se sonte duke filluar nga ora 20:00 do të përfundojë protesta dhe bllokimi i hyrje-daljeve në pikat kufitare Deve Bair, Delçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafëthanë, Bllacë, Bllatë dhe Stenje, raporton Telma, përcjell Portalb.mk.

Më parë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski njoftoi se BE-ja do të miratojë një Strategji të re për Vizat, që do të thotë zgjidhje e problemit të transportuesve që kanë bllokuar pikat kufitare drejt zonës Shengen për katër ditë.

“Sapo mora lajme të shkëlqyera nga Brukseli në lidhje me problemin e madh të transportuesve nga Maqedonia! Pikëpamjet tona janë pranuar. Shoferët janë pranuar si profesionistë. Kjo është ajo që kërkonim. Pas protestave dhe ofensivës së fortë në periudhën e kaluar, Brukseli do të miratojë një Strategji të re për Vizat që do të thotë zgjidhje e problemit me të cilin janë përballur shoferët profesionistë”, shkroi Nikoloski në Facebook.

Bllokadat e daljeve dhe hyrjeve transportuese në pikat kufitare në vend dhe në rajon vazhduan edhe sot në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata, para katër ditësh, vendosën kamionë në pikat kufitare drejt vendeve të zonës Shengen, duke kërkuar që Bashkimi Evropian (BE) të ndryshojë rregullin për evidencën elektronike të qëndrimit të transportuesve në zonë.

Protesta është kundër zbatimit të sistemit EES për qëndrimin në zonën Shengen dhe rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, po e paralizon punën e tyre.

Pavarësisht bllokimit të trafikut të mallrave në pikat drejt zonës Shengen, i cili sipas njoftimeve do të zgjasë të paktën shtatë ditë, trafiku i udhëtarëve funksionon pa pengesa.

Paraprakisht, pas bllokadave në kufi, nga Ministria e Energjetikës theksuan se nuk do të ketë krizë në furnizimin me karburant për qytetarët dhe as për ekonominë, sigurojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Nga aty informuan gjithashtu se shteti disponon derivate të naftës në rezervat shtetërore, të cilat janë të mjaftueshme për furnizimin e tregut për rreth 42 ditë.

DoganaDrejtoria e doganave RMVKufiri në QafëthanëKufiri në TabanovcKufiri RMV-GreqiMinistria e Transportit (MT)TransportVendkalim kufitar