Nikolloski: Lajme të shkëlqyera nga Brukseli, shoferët janë pranuar si profesionistë

Brukseli do të miratojë një Strategji të re për vizat, e cila do të nënkuptojë zgjidhjen e problemit me të cilin janë përballur shoferët profesionistë, njoftoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, transmeton Portalb.mk.

“Sapo mora lajme të shkëlqyera nga Brukseli lidhur me problemin e madh të transportuesve nga Maqedonia. Qëndrimet tona janë pranuar. Shoferët janë pranuar si profesionistë. Kjo është ajo që kemi kërkuar. Pas protestave dhe ofensivës së fortë në periudhën e fundit, Brukseli do të miratojë Strategji të re për vizat që do të nënkuptojë zgjidhjen e problemit me të cilin u përballën shoferët profesionistë”, tha Nikolloski.

Në pjesën e Strategjisë së paralajmëruar që u publikua nga Nikolloski, e cila ka të bëjë me “Reduktimin e kompleksitetit”, thuhet:

“Aktualisht, legjislacioni i BE-së lejon qëndrimin në zonën Shengen deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh për udhëtarët që nuk kanë nevojë për vizë dhe për ata që kanë nevojë për vizë. Çdo qëndrim më i gjatë se 90 ditë kërkon vizë afatgjatë ose leje qëndrimi të lëshuar nga një shtet anëtar. Megjithatë, disa profesionistë nga vendet e treta që varen në masë të madhe nga lëvizshmëria mes shteteve anëtare, si artistë në turne, sportistë që marrin pjesë në ngjarje sportive, ekspertë që punojnë në projekte ndërkufitare, fuqi punëtore që mbështet industritë dhe shërbimet në BE ose shoferë kamionësh që u shërbejnë bizneseve në BE – mund të kenë nevojë për qasje në disa shtete anëtare për më shumë se 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, pa pasur nevojë për vizë afatgjatë ose qëndrim në BE. Kjo krijon një sistem kompleks, i cili komplikohet më tej nga ekzistenca e marrëveshjeve bilaterale të lidhura nga disa shtete anëtare përpara hyrjes në fuqi të acquis-it të Shengenit. Këto marrëveshje u lejojnë shtetasve të disa vendeve të treta të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë, por vetëm në territorin e shtetit anëtar përkatës, duke minuar zbatimin e unifikuar të acquis-it të Shengenit.”

Në draft thuhet se Komisioni Evropian do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare për të identifikuar zgjidhje praktike që do të mundësojnë qëndrime të zgjatura afatshkurtra për kategori të përzgjedhura të shtetasve të vendeve të treta, duke siguruar përfitime të sigurisë dhe ekonomike për BE-në, si dhe qartësi ligjore për udhëtarët.

Bllokadat e daljeve dhe hyrjeve transportuese në pikat kufitare në vend dhe në rajon vazhduan edhe sot në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata, para katër ditësh, vendosën kamionë në pikat kufitare drejt vendeve të zonës Shengen, duke kërkuar që Bashkimi Evropian (BE) të ndryshojë rregullin për evidencën elektronike të qëndrimit të transportuesve në zonë.

Protesta është kundër zbatimit të sistemit EES për qëndrimin në zonën Shengen dhe rregullit 90/180 ditë, i cili, sipas tyre, po e paralizon punën e tyre.

Pavarësisht bllokimit të trafikut të mallrave në pikat drejt zonës Shengen, i cili sipas njoftimeve do të zgjasë të paktën shtatë ditë, trafiku i udhëtarëve funksionon pa pengesa.

Paraprakisht, pas bllokadave në kufi, nga Ministria e Energjetikës theksuan se nuk do të ketë krizë në furnizimin me karburant për qytetarët dhe as për ekonominë, sigurojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Nga aty informuan gjithashtu se shteti disponon derivate të naftës në rezervat shtetërore, të cilat janë të mjaftueshme për furnizimin e tregut për rreth 42 ditë.

Aleksandar NikollovskiBashkimi Evropian (BE)ETIAS - EESKomisioni Evropian (KE)Protesta