Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, në një intervistë për Euronews Bullgari deklaroi se do të ishte për të ardhur keq si për vendin, ashtu edhe për qytetarët e tij, nëse Qeveria nuk e shfrytëzon mundësinë aktuale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se problemi nuk është vetëm përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, por edhe mosrealizimi i agjendës së reformave, duke shtuar se aktualisht nuk sheh asnjë përparim dhe asnjë reformë në vend. Sipas tij, është humbur një vit i tërë.
Waitz përsëriti se ndryshimet kushtetuese mbeten kushti kryesor pa të cilin negociatat nuk mund të vazhdojnë.
“Po, kjo është e saktë. Ka disa hapa pozitivë, si plani i veprimit për çështjet e pakicave, por qeveria duhet të zbatojë reformat. Përndryshe, nuk mund të hyjmë në negociata reale”, tha shkurt ai.
I pyetur nëse Maqedonia e Veriut mund të konsiderohet partner i besueshëm i BE-së, duke pasur parasysh kritikat e vazhdueshme ndaj fqinjëve dhe vetë BE-së, Waitz u përgjigj se respekti i ndërsjellë është bazë e bashkëpunimit në BE dhe kjo vlen si për shtetet anëtare, ashtu edhe për vendet kandidate.
“Vetëm së bashku, sidomos në këto kohë gjeopolitike, mund të mbrojmë mënyrën tonë evropiane të jetesës dhe vlerat tona. Por gjatë vitit të fundit në Maqedoninë e Veriut nuk ka pasur përparim, as reforma. Nuk bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, por edhe për agjendën reformuese dhe Planin e rritjes. Nëse vendi nuk zbaton reformat e nevojshme, 47 milionë euro do të shkojnë te vendet fqinje”, tha ai.
Duke folur për reformat kryesore, Waitz përmendi sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, sigurimin e një gjyqësori të pavarur që garanton drejtësi për qytetarët dhe bizneset, si dhe zhvillimin ekonomik.
“Pa standarde të duhura në sundimin e ligjit nuk mund të tërhiqni investitorë të huaj. Korrupsioni është një kancer në shoqëritë tona, edhe në BE. Pyetja është nëse kemi institucione dhe vullnet politik për ta luftuar atë. Ende duhet të shohim përmirësim në këtë drejtim nga Maqedonia e Veriut”, theksoi ai.
Sa i përket kërkesës për rinegocim të kornizës negociuese, Waitz e hodhi poshtë këtë mundësi.
“Mbrojtja e pakicave, e drejta për vetëpërcaktim dhe shprehje kulturore janë vlera themelore evropiane dhe pjesë e kritereve të Kopenhagës. Këto nuk janë të negociueshme. Shteti duhet të përfshijë pakicat shtesë në Kushtetutë. Pa ndryshime kushtetuese, nuk mund të fillojnë negociatat”, tha ai.
I pyetur për rrezikun e izolimit, nëse elitat politike vazhdojnë me retorikë nacionaliste në vend të reformave, Waitz tha se sheh si pozitiv faktin që nuk priten zgjedhje vitin e ardhshëm dhe se ka sinjale për përshpejtim të reformave.
Ai theksoi se përparimi i vendeve matet sipas meritës, duke përmendur se Shqipëria po avancon më shpejt në proces, ndërsa shtoi se kjo mund të shërbejë si nxitje për skenën politike në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, mbështetja për BE-në në vend është në rritje dhe qytetarët e duan këtë proces kryesisht për arsye praktike si sundimi i ligjit, siguria dhe zhvillimi ekonomik.
Waitz nuk beson se vonesat do ta shtyjnë vendin drejt euroskepticizmit apo ndikimit të Rusisë dhe Serbisë, duke theksuar se ekziston një dritare mundësish për zgjerimin e BE-së.
“Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet, do të jetë zhgënjyese për qytetarët. Situata aktuale është shumë e favorshme për anëtarësim”, tha ai.
Në fund, duke folur për perspektivën kohore të anëtarësimit, Waitz u shpreh se nëse vendi angazhohet seriozisht në reforma, ka ende shanse të përparojë së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi gjatë këtij mandati të Parlamentit Evropian.
“Por për fat të keq, aktualisht nuk shoh vullnet politik për reforma serioze, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Është humbur një vit i tërë. Megjithatë, unë do të vazhdoj të mbështes rajonin”, përfundoi Waitz.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.