Prokuroria propozoi paraburgim për 20 vjeçarin nga Tetova, i cili dyshohet për krim kompjuterik

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një 20-vjeçari nga fshati Reçicë e Madhe, për disa vepra nga fusha e krimit kompjuterik. Gjatë veprimeve disamujore parahetimore, të koordinuara nga një prokuror publik, janë siguruar prova që ngrenë dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale – Mashtrim kompjuterik, sipas nenit 251-b të Kodit Penal. I dyshuari, gjatë periudhës 2025–2026, ka administruar një grup ilegal online në aplikacionin e komunikimit “Telegram”, përmes të cilit ka ofruar shërbime dhe mjete softuerike për mashtrime që lidhen me kthimin e paligjshëm të parave, transmeton Portalb.mk.

Përveç kësaj, ai dyshohet edhe për veprën penale – Keqpërdorimi i të dhënave personale, sipas nenit 149, të cilën e ka kryer si administrator i domeneve dhe faqeve të internetit të lidhura me platformën “OLVX”. Kjo platformë shërbente si treg ilegal për shitjen e të dhënave digjitale të vjedhura, mjeteve softuerike dhe shërbimeve të destinuara për kryerjen e veprave penale. Përdoruesit kryesorë të platformës ishin kriminelë kibernetikë, të cilët blinin dhe shisnin të dhëna personale dhe kredenciale për qasje në llogaritë e përdoruesve. Gjatë periudhës së funksionimit të platformës, janë ofruar mbi 1.500 të dhëna të vjedhura për qasje, që u përkisnin viktimave, personave fizikë dhe juridikë.

Në bazë të një urdhri për bastisje, të siguruar nga gjykata me kërkesë të prokurorit publik, është kryer bastisje te i dyshuari dhe janë sekuestruar dy telefona celularë. Në një dosje të fshehur në njërin prej telefonave është konstatuar se ai posedonte gjithsej 29 video me përmbajtje eksplicite të akteve seksuale mes të rriturve dhe fëmijëve. Për këtë arsye, 20-vjeçari dyshohet edhe për veprën penale – Prodhimi dhe shpërndarja e pornografisë me fëmijë, sipas nenit 193-a të Kodit Penal.

Duke pasur parasysh se ekziston rrezik i qartë që i dyshuari, të cilit i ngarkohen disa vepra penale, të arratiset, si dhe rreziku që ai të vazhdojë të kryejë vepra penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Tetovës propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndryshe, dje, për të njëjtin person, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike, pasi në një aksion të përbashkët me Byron Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI) është zbuluar se ai administronte një treg ilegal online për shitjen e të dhënave të vjedhura.

Mashtrime online - vjedhje e te dhenave personaleMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSulm hakerësh - Haker(e)