Tetëqind deri në 1 mijë paciente çdo vit diagnostifikohen me kancerin e gjirit në Maqedoni. Mjekët thonë se vetëkontrolli dhe zbulimi i hershëm janë thelbësorë për diagnostikimin në kohë. Një kontroll që zgjat pak minuta mund të bëhet një hap i rëndësishëm për shëndetin. Por sa të ndërgjegjësuara janë gratë për kontrollet e gjirit dhe sa shpesh kujtohen për shëndetin, apo vetëm kur shfaqet një problem?, transmeton Alsat-M.
Drejtuesja e Shoqatës “Ezra”, Liridona Beqiri thotë se të gjithë duhet të shfaqin kujdes duke filluar nga ndërgjegjësimi personal.
“Gjithmonë fushatat tona konsistojnë rritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit te popullata sepse patjetër që kujdesi për shëndetin fillon nga ndërgjegjësimi përsonal duke vijuar më tej me vetë kontrollin dhe kontrollet parandaluese të cilat duhet të jenë pjesë e rutinës së kujdesit apo kulturës sonë shëndetësore që fatkeqësisht ne ende nuk po arrijmë në atë nivel që ne po insistojmë të arrijmë me fushatat tona”, deklaroi Beqiri.
Ajo thotë se kanceri i gjirit nuk njeh gjini apo grup moshë, sepse kjo sëmundje tanimë po prek edhe moshën e re.
“Incidenca e kancerit të gjirit tani më ka ndryshuar edhe vektorin e paraqitjes ne varësi të grup moshave. Shumë më heret asocim për të pasur kancer të gjirit gjithmonë kanë qenë gratë më të shtyera në moshë mbi moshën 50 vjeçare, por tani më fatkeqësisht ky realitet ka ndryshuar sepse kanceri nuk bënë dallim në moshë por as në gjini dhe ne kemi evidente shumë vajza të reja të cilat janë të prekura nga kanceri i gjirit edhe atë në faza shumë të vonshme”, theksoi Beqiri.
Kanceri i gjirit është një sëmundje që nuk jep simptoma apo dhimbje prandaj gjithmonë mesazhet vijojnë me atë që të mos anulohen kontrollet dhe rekomsndohet të fillojnë kontrolle që nga mosha 17 vjeç, të paktën një herë në vit.
Përmes simbolit rozë, Tetori synon të afrojë vëmendjen te një çështje që prek gra dhe familje në mbarë botën, duke e kthyer ndërgjegjësimin në një hap drejt kujdesit dhe shpresës. Ky muaj shënon ndërgjegjesimin për kancerin e gjirit, duke vendosur fokus në rëndësinë e informimit, parandalimit dhe zbulimit të hershëm.
Ndryshe, në disa institucione shëndetësore publike, kapacitetet e kufizuara të stafit dhe organizimit ndikojnë në dinamikën e planifikimit dhe zbatimin e procedurave dhe trajtimit shtesë diagnostikues. Vëllimi i shtuar i aktiviteteve që lidhen me skriningun në raste të caktuara ndikon në disponueshmërinë e ekzaminimeve të rregullta diagnostikuese dhe kontrolluese në departamentet e radiologjisë, me një rënie në numrin e takimeve të rregullta të regjistruara në disa institucione shëndetësore publike.
Nuk është krijuar kornizë gjithëpërfshirëse normative dhe strategjike për skriningun e organizuar që përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira, gjë që ndikon në koordinimin dhe vazhdimësinë në zbatimin e programeve të skriningut. Mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e stafit, veçanërisht në radiologji, citologji dhe patologji, përbën një rrezik për zbatimin e vazhdueshëm dhe cilësor të shërbimeve të skriningut. Pajisjet dhe infrastruktura diagnostikuese nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë, dhe sistemet e informacionit nuk ofrojnë lidhje dhe shkëmbim të plotë të të dhënave, gjë që e bën të vështirë menaxhimin e skriningut dhe monitorimin sistematik të rezultateve të programit.
- LEXO: Skriningu i gjirit në Maqedoninë e Veriut dështon në praktikë, Ministria ende kërkon zgjidhje
- LEXO: Gjiri i harruar: Kur skriningu ekziston në letër, por jo ende në jetën e grave
- LEXO: Skriningu i kancerit në RMV funksionon vetëm në letër, 80% e rasteve me kancer zbulohen me vonesë
- LEXO: Onkologjia e Shkupit në kolaps: Kaos dhe pritje me orë nga pacientët me kancer, nuk ka zgjidhje
- LEXO: Nën standardet evropiane: Skriningu në RMV me mbulim tepër të ulët dhe efekt të kufizuar, zbuloi Revizioni
- LEXO: Numri i rasteve me melanomë për 5 vite në RMV është rritur për 116 përqind, ndërsa me kancer të gjirit për 40 përqind