Programet e skriningut ekzistojnë vetëm në letër, por nuk arrijnë te qytetarët, ndaj mbulimi me kontrolle për kancerin e gjirit është nën 6 përqind. Diagnostikimi, pa të cilin nuk ka terapi, është i pamjaftueshëm dhe i cenueshëm. Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji (UKRO) mban barrën e të gjithë shtetit dhe punon në kufijtë e kapaciteteve të saj, me vetëm tre akseleratorë linearë për 1,8 milion banorë. Terapia planifikohet nga një buxhet në tjetrin, ndërsa pacientët humbin javë nga dyshimi i parë deri në fillimin e trajtimit. Megjithatë, me të njëjtat pajisje dhe të njëjtin personel, në vitin 2025 shërbimet diagnostikuese u rritën për 15 përqind, ndërsa radioterapia për 55 përqind. Vetëm falë organizimit më të mirë dhe punës së punonjësve shëndetësorë, sistemi nuk ka pësuar kolaps, u tha në diskutimin e sotëm në panel në Qeveri, transmeton Portalb.mk.
Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të shoqatës HEMA-ONKO u ulën sot në të njëjtën tryezë, në Sallën Ceremoniale të Qeverisë, ku mbajtën punëtorinë me temë “Ridefinimi i kujdesit onkologjik: zgjidhje sistemike për kujdes të qasshëm dhe të pandërprerë në Maqedoni”. Krahas Ministrisë së Shëndetësisë, në diskutimin në panel morën pjesë edhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë (ASHAM), Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Farmacisë, Instituti i Shëndetit Publik, Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, disa drejtorë të institucioneve shëndetësore publike, punonjës shëndetësorë nga sektori publik dhe privat, përfaqësues të pacientëve dhe të industrisë. Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe ekspertë të njohur nga Franca, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
“Ky është një moment kritik për të kaluar nga një sistem i fragmentuar dhe i mbingarkuar i kujdesit onkologjik në një plan gjithëpërfshirës kombëtar dhe një rrjet onkologjik me standarde të unifikuara, i cili ka mbështetjen e plotë të Qeverisë dhe autoriteteve shëndetësore”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në hapje të aktivitetit.
“Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, për kancerin po diskutohet në këtë nivel: Qeveria, institucionet, mjekët, pacientët dhe ekspertët më të mirë evropianë së bashku”, deklaroi drejtori i UKRO-së, Igor Stojkovski.
Ndërkohë, shifrat tregojnë se përse ky diskutim është urgjent. Në vitin 2023, në Maqedoni u regjistruan 8.371 raste të reja të kancerit, që është 16 përqind më shumë se dhjetë vjet më parë. Po atë vit, nga kanceri vdiqën 3.726 persona. Çdo ditë diagnostikohen rreth 23 raste të reja, ndërsa vdesin rreth 11 persona. Te ne kanceri shfaqet më rrallë se në BE, por vdekshmëria nga ai është më e lartë.
Në ligjëratën hyrëse, prof. dr. Joseph Gligorov nga Universiteti Sorbonne dhe spitali Tenon në Paris prezantoi standardet evropiane të onkologjisë. Ai theksoi se Maqedonia duhet të kalojë nga një qendër e vetme e mbingarkuar në një rrjet kombëtar onkologjik. Në këtë rrjet, një qendër gjithëpërfshirëse onkologjike do ta udhëheqë kujdesin, trajtimet komplekse do të përqendrohen aty, ndërsa terapitë e zakonshme do të ofrohen më afër vendbanimit të pacientit. Si masa më të shpejta, ai veçoi konsultat e detyrueshme të konsiliumit për çdo rast të ri, përfshirë edhe në distancë, si dhe përcaktimin e rrugëtimit të pacientit me afate maksimale të pritjes. Ai propozoi gjithashtu një plan veprimi për 24 muajt e ardhshëm.
Paneli i parë, i moderuar nga Sinisha Stojanoski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, nxori hapur në pah dobësitë e sistemit. Folën dr. Marija Andonovska nga Instituti i Shëndetit Publik, Elena Ristoska nga Ministria e Shëndetësisë, prof. dr. Igor Stojkovski nga UKRO dhe Ana Marjanoviq nga HEMA-ONKO.
Panelistët treguan se kanceri te ne shfaqet më rrallë se në BE, por vdekshmëria nga ai është më e lartë. Programet e skriningut ekzistojnë vetëm në letër, por nuk arrijnë te qytetarët, ndaj mbulimi me kontrolle për kancerin e gjirit është nën 6 përqind. Diagnostikimi, pa të cilin nuk ka terapi, është i pamjaftueshëm dhe i cenueshëm. UKRO-ja mban barrën e të gjithë shtetit dhe punon në kufijtë e kapaciteteve të saj, me vetëm tre akseleratorë linearë për 1,8 milion banorë. Terapia planifikohet nga një buxhet në tjetrin, ndërsa pacientët humbin javë nga dyshimi i parë deri në fillimin e trajtimit. Pavarësisht kësaj, me të njëjtat pajisje dhe të njëjtin personel, në vitin 2025 shërbimet diagnostikuese u rritën për 15 përqind, ndërsa radioterapia për 55 përqind. Vetëm falë organizimit më të mirë dhe punës së punonjësve shëndetësorë, sistemi nuk ka pësuar kolaps.
Paneli “Nga nevojat te vendimet: infrastruktura dhe teknologjia në kujdesin onkologjik” iu kushtua prioriteteve. Moderator ishte Ana Shutinoska. Pjesëmarrësit iu përgjigjën tri pyetjeve në tri raunde: ku është më urgjente ndërhyrja, çfarë funksionon dhe cilët janë hapat e ardhshëm.
Në kuadër të këtij paneli u diskutua edhe për nevojat prioritare infrastrukturore dhe teknologjike për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve onkologjikë, si dhe për strategjitë afatgjata për një qasje kombëtare ndaj kontrollit të sëmundjeve malinje.
Në sesionin përmbyllës, në emër të pacientëve foli Ana Marjanoviq nga HEMA-ONKO. Ministri Klekovski paraqiti drejtimet e Ministrisë për hapat e ardhshëm: masa urgjente për stabilizimin e kujdesit onkologjik dhe një qasje kombëtare afatgjatë ndaj kontrollit të kancerit.
“Sot, për herë të parë, kemi një pasqyrë të përbashkët: ku jemi, ku duam të arrijmë dhe si do të shkojmë deri atje. Pacientët që po trajtohen sot nuk mund të presin, prandaj masat urgjente vijnë të parat. Paralelisht, po nisim disa aktivitete, si studimi për infrastrukturën dhe teknologjinë, si dhe ndërtimi i një qasjeje kombëtare afatgjatë ndaj kontrollit të kancerit. Nga ky vit, Maqedonia është pjesë e programit EU4Health, me kushte të njëjta si vendet anëtare. Fondet evropiane shkojnë aty ku ka një plan kombëtar, një institucion udhëheqës të qartë dhe të dhëna, dhe pikërisht këtë do ta ndërtojmë”, tha ministri Klekovski.
Kontrollet që mund të zbulojnë kancerin në fazat e hershme nuk po funksionojnë siç duhet në Maqedoninë e Veriut. Revizioni i programeve të skriningut tregon se shteti nuk ka siguruar mbulim të mjaftueshëm të popullatës, ndërsa ndërprerja e skriningut po lë shumë raste pa u zbuluar në kohë. Kjo do të thotë se kanceri, veçanërisht ai i gjirit dhe i qafës së mitrës, në shumë raste zbulohet më vonë, kur trajtimi bëhet më i vështirë dhe mundësitë për shërim zvogëlohen.