Shkupi më i prekuri nga Ethet e Nilit Perëndimor, numri i viktimave ka arritur në 11

Numri i personave që kanë ndërruar jetë nga  virusi i Etheve të Nilit Perëndimor në vendin tonë ka arritur në 11, megjithatë lajmi i mirë është se që nga 25 shtatori nuk është regjistruar asnjë rast i ri me Ethet e Nilit Perëndimor në vendin tonë, kurse momentalisht po marrin trajtim spitalor 2 persona, transmeton Portalb.mk.

Personi i fundit që humbi jetën nga ky virus ishte një grua 66-vjeçare nga Rosomani, e cila kishte pasur një pasqyrë të rëndë klinike.

Nga fillimi i vitit 2026 deri me 13 tetor, në vendin tonë  janë regjistruar gjithsej 71 të prekur nga Ethet e Nilit Perëndimor. Nga rastet e regjistruara më të prekur kanë qenë meshkujt 73.2% apo 52 persona ndërsa 26,8% ose 19 kanë qenë femra.

Numri më i lartë i të prekurve nga Ethet e Nilit Perëndimor është regjistruar ne Shkup, pastaj në Veles, në Kavadar dhe nga një rast në Kumanovë, Tetovë dhe Sveti Nikollë. Me uljen e temperaturave, ulet edhe përhapja e virusit të Etheve të Nilit Perëndimor, i cili përhapet vetëm përmes mushkonjave të infektuara.

Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.

Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Ethet e Nilit PerëndimorMinistria e Shëndetësisë (MSH)Vdekje