Komuna e Kërçovës nuk ka ndërmarrë masa të duhura për arkëtimin e kërkesave financiare. Një pjesë e projekteve kapitale janë realizuar pa u përcaktuar në programet përkatëse, pa dokumentacion të duhur të projektit dhe pa mbikëqyrje profesionale. Ndërkaq, partneriteti publiko-privat për modernizimin e ndriçimit publik, me vlerë të përgjithshme të kontratës prej 376.532 mijë denarësh, përkatësisht 6.103.000 euro, përfshirë TVSH-në, për shkak të vlerës së konsiderueshme financiare dhe detyrimeve afatgjata, paraqet çështje me rrezik të lartë për buxhetin e komunës, thuhet në raportin e revizionit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR), transmeton Portalb.mk.
Revizioni konstatoi mospërputhje ndërmjet evidencës kontabël dhe asaj tatimore në vlerë të përgjithshme prej 32.911 mijë denarësh, përkatësisht rreth 533.000 euro. Gjithashtu, janë evidentuar kërkesa financiare në vlerë prej 14.562 mijë denarësh, nga të cilat 6.241 mijë denarë, ose 43 përqind, janë kërkesa më të vjetra se 10 vjet, ndërsa 57 përqind e kërkesave, përkatësisht 8.321 mijë denarë, janë më të vjetra se pesë vjet.
“Duke pasur parasysh se këto kërkesa financiare burojnë nga vitet e kaluara dhe se nuk janë ndërmarrë masa për arkëtimin e tyre, ekziston pasiguri nëse do të arkëtohen dhe nuk është bërë harmonizimi i vlerës së tyre. Edhe pse komuna dërgon vërejtje përmes sistemit elektronik për administrimin e tatimeve dhe taksave, në vitin 2025 janë miratuar vendime për arkëtim të detyrueshëm vetëm për 150 tatimpagues. Gjatë arkëtimit të tatimit në pronë dhe taksës komunale për firmë, përkatësisht emërtimin e hapësirës afariste, nuk llogaritet dhe nuk arkëtohet kamata për shumën e papaguar brenda afatit të përcaktuar”, thuhet në raportin e revizionit.
Sa i përket tatimit në pronë, regjistri i krijuar si bazë e të dhënave që disponon komuna nuk i përmban të gjithë elementet e përcaktuara në fletët evidentuese. Edhe pse vlera e pronës së tatimpaguesve bazohet në vlerësime të vitit 2008, komuna nuk ka ndërmarrë aktivitete për rishikimin e vlerës së tregut të patundshmërive.
Nga shqyrtimi i vendimeve të lëshuara për 1.341 tatimpagues, është konstatuar se tatimi në pronë është përcaktuar në vlerë deri në 200 denarë, gjë që tregon se vlera e pronës është përcaktuar në nivel të ulët.
Regjistri jo i përditësuar i patundshmërive, përcaktimi i tatimit në bazë të vlerësimeve të vjetra, mosllogaritja dhe mosarkëtimi i kamatës për pagesat me vonesë, si dhe mosndërmarrja e masave përkatëse për arkëtim të detyrueshëm, ndikojnë në realizimin e të hyrave më të ulëta në buxhetin e Komunës së Kërçovës.
Në vitin 2024, komuna nuk ka realizuar të hyra nga taksat komunale për përdorimin e muzikës në lokalet publike, vendosjen e reklamave, publikimeve dhe shpalljeve, si dhe nga kompensimi për mirëmbajtjen e pastërtisë publike.
Janë konstatuar parregullsi edhe në dhënien me qira të pronës komunale dhe vendosjen e pajisjeve urbane.
Për mbindërtimet e paligjshme të objekteve, të cilat nuk janë në përputhje me lejet e lëshuara dhe të plotfuqishme, nuk janë ndërmarrë masa pas kontrolleve të kryera nga inspektorati.
Po ashtu, komuna gjatë katër viteve të fundit nuk ka iniciuar procedurë për miratimin e planeve urbanistike dhe nuk ka përgatitur e dorëzuar raport vjetor në Ministrinë e Transportit për shfrytëzimin e mjeteve për këtë qëllim.
Revizoni ka konstatuar edhe shumë parregullsi të tjera.