Deri më tani, gati 25.000 qytetarë janë paraqitur për vaksinim kundër gripit sezonal në faqen e internetit vakcinacija.mk, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, duke iu referuar të dhënave nga sistemi “Termini im”. Vaksinimi pritet të fillojë nga 16 deri më 30 tetor, transmeton Portalb.mk.
30.000 dozat e para të vaksinave janë të llojit GCFLU Multi inj., produkt i kompanisë GC Biopharma Corporation nga Koreja.
Bëhet fjalë për vaksinën trivalente GC Biopharma – Influenza Vaccines për vitin 2026, e cila është miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe i përmbush kriteret e rrepta të cilësisë. Përkatësisht, është siguruar certifikatë e cilësisë e lëshuar nga prodhuesi, si dhe certifikatë nga një laborator referent për kontrollin e cilësisë, pjesë e rrjetit OMCL (Laboratorët Zyrtarë për Kontrollin e Barnave).
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dërgesa e parë e vaksinave është siguruar përmes huazimit, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar tashmë të vendosur me shtetet fqinje, në këtë rast me UNICEF-in në Shqipëri.
“26 mijë doza të vaksinave kundër gripit janë nga kompania ‘Sanofi’ dhe pritet të mbërrijnë deri më 15 nëntor”, shtojnë nga Ministria.
Janë duke vazhduar bisedimet për 24 mijë dozat e tjera të vaksinave.
“Grupet prioritare për vaksinim do të përcaktohen nga Komisioni për Imunizim”, theksuan nga ministria përkatëse.
Vaksinimi falas kundër gripit sezonal është i dedikuar për grupet e rrezikuara të qytetarëve – personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, punonjësit shëndetësorë, gratë shtatzëna, si dhe fëmijët nga mosha gjashtë muaj deri në pesë vjeç.