Stuhi juridike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Vija mes kontrollit kushtetues dhe pavarësisë gjyqësore u gjet në fokusin e publikut pas lëvizjes së Gjykatës Kushtetuese për ta alarmuar Prokurorinë dhe Këshillin Gjyqësor për veprimin e një gjykatësi civil në rastin e gazetares Natasha Stojanovska. Vendimi ngjalli interpretime dhe reagime të ndryshme në qarqet juridike, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Avokatët dhe përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor paralajmërojnë për implikime të mundshme mbi pavarësinë gjyqësore, pasi Gjykata Kushtetuese të premten (7.08) e njoftoi Prokurorinë dhe Këshillin Gjyqësor se një gjykatës civil nuk e ka zbatuar vendimin e saj në procedurën lidhur me cënimin e sigurisë së gazetares Natasha Stojanovska gjatë hyrjes me dhunë në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.

Në këtë mënyrë Gjykata për herë të parë zbatoi një mekanizëm për mbrojtjen e vendimeve të veta dhe porositi se forma e prerë dhe ekzekutueshmëria e tyre janë të mbrojtura edhe me sanksione penalo-juridike kur ato nuk zbatohen.

Joshevska-Anastasovska: Ngrihen çështje për pavarësinë gjyqësore

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Suzana Joshevska-Anastasovska, në postimin e saj në rrjetet sociale ka shprehur qëndrimin e saj personal. Ajo thotë se bëhet fjalë për një precedent potencialisht shqetësues.

“Dërgimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Këshillin Gjyqësor ‘për veprim të mëtejshëm’, në të cilin interpretimi i ligjit procedural nga gjykatësi i rregullt në procedurë ende të papërfunduar cilësohet si ‘moszbatim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese’, duke implikuar përgjegjësi penale, ngre çështje serioze për kufijtë midis kontrollit kushtetues dhe pavarësisë gjyqësore. Do kisha thënë se prek edhe çështje të presionit të mundshëm institucional’, tha Joshevska-Anastasovska.

Tufegxhiq: Në vend të përgjegjësisë penale, nevojiten trajnime për gjykatësit

Avokati Vlladimir Tufegxhiq është i mendimit se kumtesa dhe arsyetimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka gjasa të kenë për qëllim theksimin e rëndësisë së vendimeve të saj, por vlerëson se kjo gjë është bërë në mënyrën e gabuar.

“Me arsyetimin e vendimit ’kushtetues’ po bëhet pikërisht ajo që është rreptësisht e ndaluar sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Paraprakisht po krijohet ambient faji dhe dënimi për një gjykatës. Prisja që të paktën Gjykata Kushtetuese, pikërisht për shkak të kësaj lënde, në vend që të kërkojë përgjegjësi penale për gjykatësin, ta theksonte nevojën që gjykatat dhe Akademia për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë të realizojnë trajnime për zbatimin e drejtë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe vendosjen e praktikes të unifikuar gjyqësore në të ardhmen“, theksoi avokati.

Ai shton se në vendin tonë prej vitesh po krijohet praktikë e injorimit të vendimeve të instancave më të larta gjyqësore.

“Praktikën e mosrespektimit dhe injorimit të vendimeve të gjykatave më të larta ne e vendosëm vetë duke i vendosur gjërat ashtu që vendimet e Gjykatës Supreme të mos jenë obligative për gjykatat e nivelit më të ulët. Me qasjen e këtillë u krijua ambient në të cilin për të njëjtën çështje juridike, për të cilën Gjykata Supreme tashmë ka sjellë vendim, të zbatohen interpretime të ndryshme“, tha Tufegxhiq.

Avokatët paralajmërojnë për tejkalim të kompetencave

Nga zyra e avokatisë “Davidoviq-Jankoviq“ vlerësojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese paraqet “klithmë institutional dhe tentativë për konstruktimin e njëfarë autoriteti kushtetues-gjyqësor në terren ku e drejta pozitive thjesht nuk ia jep atë“.

“Duke e analizuar përmes një dimenzioni rreptësisht formal-juridik, Gjykata Kushtetuese me këtë lëvizje bën një hap të rrezikshëm drejt tejkalimit të kompetencave të saj kushtetuese dhe hapur tenton të imponohet mbi gjyqësorin e rregullt, duke marrë rolin e organit mbi-gjyqësor i cili jep direktiva dhe kërcënohet me kallëzime penale për qëndrime juridike të sjella në procedura gjyqësore të parapara me ligj“, thonë nga zyra e avokatisë “Davidoviq-Jankoviq“.

Sipas tyre, anashkalohet garancia si bazë ligjore dhe kushtetuese se gjykatësi nuk mund të thirret në përgjegjësi penale apo disiplinore, e as të shkarkohet për mendimin e shprehur, qëndrimin e marrë juridik apo vendimin e nxjerrë gjatë ushtrimit të funksionit gjyqësor. Ky imunitet funksional është themeli i pavarësisë gjyqësore dhe ekziston pikërisht për ta mbrojtur gjykatësin nga presionet e jashtme dhe ndjekjet institucionale kur gjykon sipas bindjes së vet dhe sipas ligjit të shkruar. Gjykatësi e interpreton të drejtën ligjore në lëndën konkrete, e jo dëshirat e Gjykatës Kushtetuese, thuhet në qëndrimin e tyre.

Avokatët vlerësojnë se ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese në fazën kur procedura sipas mjeteve të rregullta juridike nuk ka përfunduar paraqet presion direkt mbi kontrollin instancial që duhet ta kryejnë gjykatat e rregullta të nivelit më të lartë.

Për cilin rast bëhet fjalë?

Gjykata Kushtetuese të premten e njoftoi Prokurorinë dhe Këshillin Gjyqësor se gjykatës civil nuk e ka zbatuar vendimin e saj dhe e ka hedhur poshtë si provë të re në procedurën e lidhur me cenimin e sigurisë së gazetares Natasha Stojanovska në rastin “27 Prilli“. Gjykatësi është thirrur në dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të paraqesë fakt të ri apo provë të re që do të paraqiste bazë për përsëritjen e procedurës.

Por, nga Gjykata Kushtetuese konsiderojnë se raste të këtilla duhet të shqyrtohen përmes prizmës së integritetit së Kushtetutës dhe theksojnë se Gjykata Themelore Civile Shkup edhe më parë ka vendosur praktikë për t’i marrë parasysh vendimet e tyre që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave.

Lënda për të cilën vendosi Gjykata Kushtetuese dhe konstatoi shkelje të lirive dhe të drejtave të Natasha Stojanovskës i referohet ngjarjeve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut  më 27 prill të vitit 2017.

Parashtruesja, si gazetare e akredituar e televizionit “24 Vesti“, ka qenë e pranishme në Kuvend me detyrë për të raportuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni ligjvënës. Pas hyrjes me dhunë në objektin e Kuvendit ajo ka pretenduar se ka qenë e ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe frikësimit, se është penguar në kryerjen e detyrës së saj si gazetare dhe nuk ka marrë mbrojtje adekuate nga organet kompetente shtetërore.

Më 12 korrik të vitit 2025 Gjykata Kushtetuese solli vendim që hapi rrugën për mënyrën se si duhet të veprojnë gjykatat në të ardhmen në paditë e ngritura nga gazetarët në lidhje me ngjarjet në Kuvend që ndodhën në 27 prill të vitit 2017, kur u shkel liria e tyre e fjalës e garantuar kushtetuese gjatë raportimit për të “Enjten e përgjakshme”.

Gjykata atëkohë konstatoi se ishte shkelur liria e shprehjes publike të mendimit të gazetarit të “Fokus”, Vllatko Stojanovski, dhe atë me dy vendime – një nga Gjykata Civile e Shkupit nga viti 2021 dhe një nga Gjykata e Apelit e Shkupit gjithashtu nga viti 2021. Vendimi i tillë u vlerësua si jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me të për herë të parë Gjykata Kushtetuese përcaktoi shkelje të detyrimeve pozitive të shtetit për t’u siguruar mbrojtje gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale, pra informimin e publikut.

Dhuna në Kuvendin e RMVGjykata Kushtetuese RMVSulm ndaj gazetarëve