Gjykatësi i Gjykatës Themelore Civile Shkup, i cili ka vepruar në lëndën e gazetares Natasha Stojanovska, nuk e ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese BZSP.nr.8/2025, njoftoi Gjykata Kushtetuese, e cila e ka informuar edhe Prokurorinë Publike dhe Këshillin Gjyqësor, transmeton Portalb.mk.
“Gjykata Kushtetuese për herë të parë që nga ekzistenca e saj zbatoi mekanizëm të ri për ekzekutimin e vendimeve, i cili mundëson mbrojtjen e vendimeve të veta. Kjo është paraparë me Aktin e Gjykatës, i cili hyri në fuqi nga shtatori i vitit 2024. Gjegjësisht, më 24 shtator 2025, Gjykata Kushtetuese konstatoi shkelje të lirive dhe të drejtave që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes publike të mendimit të Natasha Stojanovskës, të kryera me dy aktgjykime (njëri i Gjykatës Themelore Civile Shkup i datës 15.06.2022 dhe i dyti i Gjykatës së Apelit Shkup i datës 19.12.2024) dhe e pranoi kërkesën e parashtrueses“, thuhet në shkresën e Gjykatës Kushtetuese.
Më 22 maj 2026, përfaqësuesi i parashtrueses, avokati Filip Medarski, e njoftoi Gjykatën Kushtetuese se aktgjykimi për lëndën BZSP.nr.8/2025 nuk është zbatuar (nuk është marrë parasysh), pasi propozimi i parashtrueses Stojanovska për përsëritjen e procedurës në Gjykatën Themelore Civile është hedhur poshtë.
Pas këtij njoftimi, gjyqtarët, në mbledhjen e punës të mbajtur më 15 korrik 2026, me shumicë votash vendosën që të miratohet një vendim i posaçëm me të cilin do të konstatohej se Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbatuar.
Më pas, në seancën e mbajtur më 22 korrik 2026, Gjykata miratoi Vendimin, në të cilin konstatohet se Vendimi BZSP.nr.8/2025 nuk është zbatuar.
Kjo u konstatua pas shqyrtimit të detajuar të Vendimit P4-240/22 të datës 4 maj 2026, të miratuar nga gjyqtari që ka vepruar në lëndë në Gjykatën Themelore Civile Shkup.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se gjykata e shkallës së parë (Gjykata Themelore Civile) iu referua dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe deklaroi se Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të jetë bazë për përsëritjen e procedurës si fakt apo dëshmi e re. Por, nuk mori parasysh karakteristikat juridike dhe efektin juridik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktuara me Kushtetutë, përkatësisht fuqinë e tyre përfundimtare, ekzekutueshmërinë dhe detyrueshmërinë e përgjithshme, duke mos e zbatuar në thelb Vendimin e Gjykatës Kushtetuese“, shtohet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese konsideron se raste të tilla duhet të shqyrtohen përmes prizmit të tërësisë së Kushtetutës, veçanërisht të mbrojtjes së drejtpërdrejtë kushtetuese-gjyqësore që gëzojnë të drejtat e parashikuara në nenin 110, alineja 3 e Kushtetutës.
“Për më tepër, në Gjykatën Themelore Civile tashmë ishte krijuar praktikë që të merren parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave. Konkretisht, pas miratimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese U.nr.146/2021 të datës 12 korrik 2023, Gjykata Themelore Civile Shkup, duke vendosur lidhur me propozimin për përsëritjen e procedurës në lëndën e përfunduar me vendim të plotfuqishëm MALVP-705/20 të datës 14.04.2021, e pranoi vendimin e përmendur të Gjykatës Kushtetuese si fakt dhe dëshmi të re, si dhe si bazë për përsëritjen e procedurës, në përputhje me nenin 392, paragrafi 1, pika 9 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Kjo qasje më vonë u pranua edhe nga Gjykata e Apelit Shkup me Vendimin GZh-118/24 të datës 07.11.2024“, njoftoi Gjykata Kushtetuese.
Prandaj, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Gjykata Themelore Civile, në rastin e gazetares Natasha Stojanovska, nuk mundësoi realizimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese të parashtrueses, edhe pse ato ishin konstatuar me Vendimin BZSP.nr.8/2025 të Gjykatës Kushtetuese.
“Fuqia përfundimtare dhe ekzekutueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbrohen edhe me sanksione penale në rast se ato nuk zbatohen. Kjo vepër penale, përfshirë çështjen nëse ekziston refuzim për zbatimin e vendimit dhe përgjegjësi penale e një personi të caktuar, është në kompetencë të prokurorisë publike dhe gjykatës kompetente“, vlerëson Gjykata Kushtetuese.
Lënda për të cilën vendosi Gjykata Kushtetuese dhe konstatoi shkelje të lirive dhe të drejtave të Natasha Stojanovskës ka të bëjë me ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2017.
Parashtruesja, si gazetare e akredituar e Televizionit „24 Vesti“, ishte e pranishme në ndërtesën e Kuvendit me detyrë të raportonte për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, si çështje me interes të theksuar publik. Pas hyrjes me dhunë në ndërtesën e Kuvendit, ajo u ekspozua ndaj kërcënimeve dhe frikësimit dhe u pengua në kryerjen e detyrës së saj gazetareske, ndërsa nga organet kompetente shtetërore nuk iu sigurua mbrojtje adekuate.