Sot në RMV mbahet provimi shtetëror i maturës në afatin e gushtit, janë regjistruar 1.118 nxënës

Maturantët e shkollave të mesme që nuk e kaluan provimin e maturës në afatin e qershorit, sot japin provimin e parë të detyrueshëm ekstern – gjuhë amtare dhe letërsi. Provimi i dytë ekstern, opsional, është planifikuar për të enjten, më 14 gusht, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave nga Qendra Shtetërore e Provimeve (QSHP), gjithsej 1,118 nxënës janë regjistruar për dy ditët e provimeve.

352 kandidatë do të japin provimin e gjuhës maqedonase, 225 do të japin provimin e gjuhës shqipe dhe nëntë maturantë do të japin provimin e gjuhës turke.

Në provimin e së enjtes, 779 nxënës do të japin provimin e gjuhës angleze, 27 nxënës do të japin provimin e matematikës, dy kandidatë do të japin provimin e gjuhës gjermane, një nxënës do të japë provimin e gjuhës frënge dhe një maturant do të japë provimin e estetikës.

Sipas llojit të arsimit, numri më i madh i aplikantëve janë nga arsimi i mesëm profesional – 835 nxënës, ndërsa nga gjimnazet do të hyjnë në provim 265 dhe 18 maturantë janë nga arsimi i mesëm artistik. Provimet do të mbahen në fakultete.

Javën e kaluar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra Shtetërore e Provimeve shpallën rezultatet e afatit të qershorit, të cilat sipas tyre treguan një përmirësim krahasuar me vitin e kaluar. Rezultati mesatar i dy provimeve eskterne në afatin e qershorit është 3.69, që është më i lartë se mesatarja e vitit të kaluar prej 3.26. Një sukses i veçantë u shënua në matematikë, ku rezultati mesatar është 4.14.

Gjithsej 15,004 nxënës u regjistruan për  afatin e qershorit. Për shkak të përpjekjeve për kopjim dhe parregullsive të tjera, u anuluan testet e 172 nxënësve, të cilët tani kanë mundësinë të japin provimin në afatin e gushtit.

Matura shtetërore RMVMaturantëMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)