RMV, asnjë shqiptar në mesin e 13 mësimdhënësve më të mirë të vitit shkollor 2025/2026

Asnjë mësimdhënës shqiptar nuk ndodhet në mesin e 13 mësimdhënësve më të mirë për vitin shkollor 2025/2026, të cilëve sot, më 5 Tetor – Ditën Botërore të Mësuesve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Lidhja e Punonjësve Arsimorë u ndanë mirënjohje, transmeton Portalb.mk.

Në listën e të shpërblyerve, të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, janë mësimdhënës nga arsimi parashkollor, fillor dhe i mesëm. Mes tyre janë mësimdhënës nga Tetova, Gostivari, Kumanova, Ohri, Manastiri, Prilepi, Shkupi, Velesi, Strumica, Bosillova, Vasileva dhe Kisella Voda, por asnjëri prej 13 të përzgjedhurve nuk është shqiptar.

Mirënjohjen për punonjësen më të mirë në arsimin parashkollor e mori Klementina Petrushevska nga kopshti „Veseli Cvetovi“ në Kisella Vodë.

Në arsimin fillor u shpërblyen Sonja Trifunovska nga Tetova, Violeta Popovska nga Gazi Baba, Gabriela Merdxhanoska nga Gostivari, Ksenija Nikollova nga Bosillova dhe Vesna Todorovska-Unkovska nga Kisella Voda.

Në mësimin lëndor u shpërblyen Tome Kitanovski nga Vasileva, Bojanka Xhipunova-Tashova nga Velesi, Vera Zoroska nga Ohri, Olivera Shikleska-Grozdanova nga Manastiri dhe Bllagica Çatlleska nga Prilepi.

Në arsimin e mesëm, mësimdhënësi më i mirë u shpall Nikolla Delevski nga Qendra Rajonale për Arsim dhe Trajnim Profesional „Nikolla Karev“ në Strumicë, ndërsa pas vdekjes mirënjohje iu dha Sllagjan Stankoviq-Bitrak, i cili kishte qenë pjesë e stafit mësimor në SHMK „Nace Bugjoni“ në Kumanovë dhe në Gjimnazin Matematikor-Informatik në Shkup.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, gjatë ceremonisë tha se mësimdhënësit e përzgjedhur janë veçuar për rezultatet, mirënjohjet, shpërblimet dhe punën e tyre gjatë vitit të kaluar shkollor.

Nga Ministria theksuan gjithashtu se gjatë dy viteve pagat në shkolla janë rritur për më shumë se 20 përqind, ndërsa për përmirësimin e kushteve për mësim dhe punë janë investuar mbi 70 milionë euro.

Kujtojmë se numër i ulët i shqiptarëve të pranuar u vërejt edhe në Shkollën e Mesme të Policisë „7 Maji“. Ministria e Punëve të Brendshme publikoi listën përfundimtare me 310 nxënës të pranuar. Nga lista e publikuar dhe nga analizimi i emrave të 310 të pranuarve, numri i kandidatëve që mund të identifikoheshin si shqiptarë rezultoi të jetë 9.

Arsimtar(e) Mesues(e) MësimMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Vesna Janevska