Fondi Evropian i Paqes: Këshilli miratoi 10 milionë euro për Forcën Operative Mjekësore të Ballkanit

Këshilli miratoi sot një masë ndihme në kuadër të Instrumentit Evropian të Paqes (EPF), me vlerë prej 10 milionë eurosh, me qëllim forcimin e kapaciteteve operative dhe gatishmërisë së Forcës Operative Mjekësore të Ballkanit (BMTF). BMTF-ja bashkon kapacitetet mjekësore ushtarake të partnerëve rajonalë për të ofruar mbështetje mjekësore ushtarake për operacionet ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Masa e ndihmës në kuadër të EPF-së do të forcojë gjithashtu kapacitetin e BMTF-së për të mbrojtur popullsinë civile në rast fatkeqësish natyrore ose të shkaktuara nga njeriu. BMTF-ja tashmë merr pjesë në stërvitje ushtarake për trajnimin e personelit të saj dhe forcimin e gatishmërisë operative dhe ndërveprueshmërisë, dhe përbën një shembull konkret të bashkëpunimit rajonal në fushën e mbrojtjes.

Vendimi i sotëm thekson angazhimin e vazhdueshëm të BE-së dhe shteteve anëtare me partnerët e Ballkanit Perëndimor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

“Duke forcuar mbështetjen nga Instrumenti Evropian i Paqes për Forcën Operative dhe rajonin, ai pasqyron vendosmërinë tonë të përbashkët për të rritur sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë rajonale. BMTF-ja dhe forcat e armatosura të partnerëve kontribues do të marrin pajisje për spitale fushore, automjete mjekësore ushtarake dhe sisteme komunikimi dhe informacioni, si dhe, kur është e nevojshme, furnizime dhe shërbime përkatëse, përfshirë trajnimin teknik”, informojnë nda Delegacioni i BE-së në RMV.

Me këtë veprim të ri, mbështetja e përgjithshme e BE-së për BMTF-në në kuadër të Instrumentit Evropian të Paqes arrin në 16 milionë euro.

Instrumenti Evropian i Paqes u krijua në mars të vitit 2021 për financimin e veprimeve në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, me qëllim parandalimin e konflikteve, ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në veçanti, EPF-ja i mundëson BE-së të financojë veprime që synojnë forcimin e kapaciteteve të shteteve të treta dhe të organizatave rajonale e ndërkombëtare në çështjet ushtarake dhe të mbrojtjes.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)