Tre dekada pas Marrëveshjes së Dejtonit (1995), administrata amerikane e presidentit Donald Tramp vendosi të heqë zyrtarët e lartë të Republika Srpska nga lista e sanksioneve. Javën e kaluar, Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit në Uashington hoqi sanksionet ndaj udhëheqësit ultranacionalist serb Millorad Dodik dhe të anëtares të presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës (B-H), Zheljka Cvijanoviç. Departamenti i Thesarit nuk dha shpjegime shtesë për vendimin e marrë. Besohet se sanksionet e vendosura në dekadën e fundit të fuqizuara gjatë viteve 2020, 2024 dhe 2025 nga ish- administrata e presidentit Joe Biden, përfundimisht u hoqën të martën me ndihmën e firmave lobiste serbo-amerikane të mbështetura financiarisht nga qeveria serbe e B-H. Deri vonë, Millorad Dodiku ishte president i republikës serbe të B-H i cili pranoi të jepte dorëheqje pasi gjykata boshnjake e ndaloi të merrej me politikë për shkak të veprimeve radikale dhe lidhjeve korruptive.
Pas vendimit të Departamentit të Thesarit, Millorad Dodiku nga gëzimi në rrjetin X shkroi: “Jam mirënjohës ndaj presidentit Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij për korrigjimin e një padrejtësie të rëndë të shkaktuar ndaj Republika Srpska, përfaqësuesve të saj dhe familjeve të tyre. Një padrejtësi e kryer nga administrata e Obamës dhe Biden-it. Vendimi për të hequr sanksionet nuk është thjesht një korrigjim ligjor, por edhe një justifikim moral i së vërtetës rreth Republika Srpska dhe të gjithë atyre që i kanë shërbyer asaj me nder. Edhe një herë, është bërë e qartë se akuzat e bëra kundër nesh nuk ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra dhe propagandë nga kaosi i krijuar nga Christian Schmidt, kaos që tani duhet të zhbëhet. Atyre që, gjatë viteve, gjetën kënaqësi në këto gënjeshtra dhe besuan shpifjet e të tjerëve, mund t’i fal gjithçka, përveç viteve që humbëm sepse besonin se Republika Srpska do të shpërbëhet”.
“Sot, është e qartë se Republika Srpska nuk do të shpërbëhet kurrë”, tha Dodik. “Faleminderit administratës së presidentit Trump për heqjen e të gjitha sanksioneve të vendosura ndaj presidentit Dodik, familjes së tij dhe bashkëpunëtorëve të tij në Republika Srpska nga administratat e Biden-it dhe Obamës. Është një ditë e re në Ballkan, ku të krishterët serbë dhe kroatë mund të shpresojnë për autonomi të vërtetë dhe lidhje më të ngushta me SHBA”, komentoi në rrjetin X, Rod Bllagojeviç (D) ish- guvernatorë i shtetit të Ilinois-it (2003-09), dhe president i RRB Startegies LLC. Sipas vlerësimeve, ky vendim ka ardhur nga disa lëvizje pozitive të ndërmara nga autoritetet e B-H.
Çfarë vendimesh mori Asambleja e Srpska Republika që solli që SHBA-të heqin sanksionet ndaj zyrtarëve të lartë të Republika Srpska? Zyrtarë të Departamentit të Shtetit i thanë radios Evropa e Lirë (RFERL) se më 18 tetor, Asambleja e Përgjithshme e entitetit serb e miratoi një ligj për shfuqizimin e ligjeve që tashmë ishin shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese e B-H. Ato përfshijnë Ligjin për pronën e paluajtshme, Ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të B-H, Ligji Zgjedhor i Republika Srpska, Ligji për ndalimin e aktiviteteve të institucioneve Jjshtëkushtetuese të B-H, Ligji për ndryshimet në Kodin Penal të Republika Srpska dhe Ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republika Srpska. Për lexuesit duhet sqaruar se ish- presidenti serb Millorad Dodik ishte dënuar nga gjykata e B-H për nënshkrimin e një ligji që bënte thirrje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të B-H. Përveç dënimit më një vjet burg, të cilin e zëvendësoi më vonë me gjobë, Dodikut iu ndalua edhe ushtrimi i detyrës publike për gjashtë vjet. Asambleja e Përgjithshme gjithashtu i beri të pavlefshme 12 konkluzione parlamentare të dhjetorit të vitit 2024.
Ndërsa Millorad Dodiku ishte president i Republika Srpska, në mesin e marsit të këtij viti miratoi një draft që synonte një kushtetutë të re që do të ridefinonte republikën si shtet të popullit serb, me të drejtë të vetëvendosjes e deri në shkëputje. Lëvzjet e fundit në Uashington, mund të jenë në kundërshtim me vetë propozim ligjin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit i quajtur si “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” (H.R.5274), i cili ndër të tjera thotë se” është politikë e qeverisë amerikane se nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rivizatimit të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mjet për të arbitruar mosmarrëveshjet midis shteteve kombëtare në rajon”.
Më tej thuhet se ligji duhet të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor si një mjet për të parandaluar kthim të konflikteve etnike që dikur e karakterizonin rajonin. Pasqi që Dodiku dhe liderë të tjerë radikalë serbë kanë folur dhe vepruar haptazi për shkëputje nga federata, kanë refuzuar të zbatojnë Marrëveshjen e Dejtonit, dhe gjithnjë kanë punuar që rajoni të hyjë në një fazë të ndryshimeve territoriale, atëherë e gjithë kjo mund të konsiderohet si mjegull në politikën e jashtme amerikane.
Përkundër largimit të Dodikut dhe dhjetra individëve nga lista e zezë amerikane, Londra zyrtare njoftoi se ish- lideri serb Millorad Dodik mbetet në listën e zezë së Britanisë së Madhe, që njëherit paraqet një dallim të madh me qasjen e SHBA-së. Së fundi Dodiku u takua në Minsk me zyrtarë të lartë rus. Ai dhe zyrtarë serbë të Republika Srpska bashkë më diplomatët rusë janë pajtuar që të kenë një qëndrim të njëjtë dhe të hartojnë një raport rreth Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmid i cili sipas tyre nuk po punon mirë.
“Takimi i sotëm ishte një mundësi për t’i konfirmuar Lavrov-it se Republika Srpska dhe Rusia mbeten në një nivel të lartë bashkëpunimi strategjik”, tha Dodik.
Pas këtij takimi nuk voni shumë kur po në Beograd ai bisedoi me ish- zyrtarin e inteligjencës të Serbisë, Aleksandër Vulin, dhe me përfaqësues të lartë të Kishës Ortodokse Serbe. Heqja e Dodikut dhe individëve të tjerë nga lista e sanksioneve të SHBA-së do t’i inkurajojë udhëheqësit e tjerë në Ballkan që të ndërmarrin veprime të pakëndshme në shkelje të të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare të arritura që nga viti 1995. Disa e shohin këtë si një fitore lobimi, të tjerë si një goditje ndaj Marrëveshjes së Dejtonit.
Dërgimi i sinjaleve të përziera nga Uashingtoni shpërblen pa dashje retorikën radikale jo vetëm në B-H, por në Ballkan në tërësi, me rrezikun e përsëritjes së precedentit
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.