Kur mjekësia harron

Një ekzaminim pa të mëparshmin është vetëm gjysma e historisë. Në radiologji, harresa e sistemit kushton kohë, para dhe siguri diagnostike.

Mamografia hapet në ekran. Gruaja është 54 vjeçe. Në njërin gji duket një zonë pak më e dendur se indi përreth. Mund të jetë diçka e padëmshme, aty prej vitesh. Mund të jetë edhe e re. Dhe pikërisht këtu e kaluara bëhet po aq e rëndësishme sa ajo që shihet sot. A ishte kjo hije aty dy vjet më parë?

Nëse po, historia mund të mbyllet me qetësi. Nëse jo, e njëjta pamje merr tjetër peshë. Kur mamografia e vjetër nuk gjendet, nuk humbet thjesht një fotografi. Humbet një pjesë e historisë së pacientes.

Radiologjia jeton nga krahasimi. Një nodul i pandryshuar prej pesë vjetësh dhe një nodul i saposhfaqur mund të duken pothuajse njësoj sot. Por nuk tregojnë të njëjtën histori. Pa ekzaminimin e mëparshëm, radiologu mund të nënvlerësojë një ndryshim që po zhvillohet ose ta dërgojë pacientin në kontrolle që mund të mos ishin të nevojshme.

Vendi ynë, megjithatë, nuk nis nga zero. “Moj Termin” e ka bërë më të rregullt caktimin e termineve dhe ka ndihmuar në shkurtimin e pritjes për vizita e ekzaminime diagnostike. Analizat qarkullojnë, raportet ruhen, receta është elektronike. Imazhi, ndërkaq, ende shpesh udhëton në dorën e pacientit, në një disk që mund të humbasë ose të mos hapet.

Kemi digjitalizuar fjalët. Ende jo kujtesën vizuale të mjekësisë.

Pas kësaj qëndrojnë disa emra teknikë, por ideja është e thjeshtë. DICOM është standardi në të cilin ruhen imazhet mjekësore. PACS është arkivi ku ato mblidhen dhe prej nga mund të hapen përsëri. RIS mban rendin e punës radiologjike: kush u ekzaminua, çfarë u bë, kur dhe kush e interpretoi. Janë tri hallka të së njëjtës gjë, që mjekësia të mos harrojë atë që ka parë.

Ministria e Shëndetësisë e ka përshkruar tashmë modelin e një PACS/RIS-i kombëtar, me arkiv qendror dhe standarde të përbashkëta. Pra, pyetja nuk është më çfarë duhet bërë. Pyetja është kur do të fillojë, cilat institucione do të lidhen të parat dhe si do ta dimë se funksionon.

Sepse vonesa ka çmim. Kur imazhi i vjetër mungon, ekzaminimi mund të përsëritet. Te tomografia kjo mund të nënkuptojë ekspozim shtesë ndaj rrezatimit jonizues. Për sistemin është shpenzim. Për pacientin është një pritje tjetër, ndonjëherë edhe një ankth i ri. Dhe çdo termin i zënë pa nevojë është një termin më pak për dikë që pret.

Te skriningu i gjirit, kjo kujtesë nuk është luks. Është pjesë e cilësisë. Udhëzimet evropiane mbështesin programe të organizuara, lexim të dyfishtë të mamografive dhe, për gratë e grupmoshave të caktuara mamografi çdo dy vjet. Një program i mirë nuk prodhon vetëm imazhe. Ai i krahason, i ndjek dhe e çon gruan nga ftesa deri te përgjigjja përfundimtare.

Pa arkiv të përbashkët mund të kemi shumë ekzaminime. Kjo nuk do të thotë se kemi një program të mirë.

Pastaj vjen pyetja që sistemi duhet t’ia bëjë vetes: kush mbetet më larg përfitimit? Sot mendimi i dytë merret më lehtë nga ai që njeh dikë, ka makinë, kohë dhe mundësi ta çojë diskun në një qytet tjetër. Pikërisht këtu teknologjia bëhet çështje barazie. Sir Michael Marmot (epidemiolog i njohur britanik) na ka mësuar se pabarazitë në shëndet nuk lindin vetëm nga biologjia, ato krijohen edhe nga mënyra si shpërndahen mundësitë dhe burimet.

Në radiologji, adresa nuk duhet të bëhet pjesë e diagnozës. Një ekzaminim i bërë në Tetovë, Strumicë, Ohër, duhet kur është e nevojshme, të mund të lexohet nga një ekspert i autorizuar kudo në vend. Imazhi mund të udhëtojë në sekonda. Nuk ka arsye që gjithmonë të udhëtojë pacienti.

Prandaj arkivi kombëtar nuk duhet të nisë vetëm aty ku sistemi është tashmë më i fortë, në kryeqendër. Përfitimi më i madh do jetë për spitalet rajonale dhe për qendrat me më pak radiologë të subspecializuar. Kjo nuk është luks digjital. Është mënyrë për ta shpërndarë më drejt një burim të rrallë: dijen.

Edhe pacienti duhet të pushojë së qeni arkivisti i vetvetes. Shumë familje ende kanë një sirtar me disqe, pa ditur cili përmban ekzaminimin që një ditë mund të bëhet vendimtar.

Një sistem që mban mend recetën, por harron imazhin, ka digjitalizuar administratën më shumë se mjekësinë.

Evropa po lëviz në drejtim të kundërt. Përmes EU4Health, institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë hyrë në mundësitë e financimit të programit.

Hapësira Evropiane e të Dhënave Shëndetësore, ndërkohë, synon t’i japë pacientit më shumë qasje dhe kontroll mbi të dhënat e veta dhe t’i bëjë ato të shkëmbyeshme në mënyrë të sigurt. Kjo nuk është vetëm teknologji. Është pyetja se kujt i përket historia shëndetësore e një njeriu.

Prandaj nuk mjafton të thuhet “na duhet PACS”. Këtë e dimë. Duhet afat, rend zbatimi dhe matje. Sa institucione janë lidhur? Sa ekzaminime përsëriten? Sa gra rikthehen pas mamografisë? Sa zgjat rruga nga ftesa deri te diagnoza? Sa shpesh përdoret mendimi i dytë?

Një reformë pa afat mbetet premtim. Pa tregues, mbetet vetëm teknologji.

Në fund, imazhi nuk i përket aparatit që e prodhoi dhe as spitalit ku u bë. I përket historisë së pacientit. Një sistem i mirë shëndetësor nuk duhet të mbajë mend vetëm kur pacienti erdhi. Duhet të mbajë mend edhe çfarë pamë tek ai.

Një ekzaminim pa të mëparshmin nuk është gabim i radiologut. Është harresa e një sistemi që kërkon përgjigje të plota, por ruan vetëm gjysmën e historisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Argjend ImeriKolumnat e Portalbit