Gruaja që e sfidoi traditën e burrave për të mos e lënë lahutën të zhduket, Lumturije Nonaj: Mungon mbështetja institucionale

Në një traditë ku lahuta për shekuj me radhë është lidhur pothuajse vetëm me burrat, Lumturije Nonaj e mori këtë instrument në duar që në moshën 12-vjeçare dhe nuk e lëshoi më. E rritur në një familje lahutarësh, mes tingujve të lahutës së gjyshit, babait, axhës dhe vëllezërve, ajo zgjodhi të hynte në një territor ku gratë pothuajse nuk shiheshin. “Në të kaluarën, lahuta dhe pushka kanë qenë për burra”, thotë Nonaj, ndërsa sot mban titullin “Princesha e Lahutës”, interpreton në festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe përpiqet t’ua përcjellë këtë trashëgimi vajzave dhe djemve të rinj. Në një bisedë për Portalb.mk, Lumturije Nonaj foli për trashëgiminë familjare, paragjykimet që ka hasur si grua lahutare, këngët kreshnike, të rinjtë që po mësojnë instrumentin dhe rrezikun që kjo traditë të mbetet pa mbështetjen e nevojshme.

Portalb.mk: Jeni ndër gratë e rralla që interpretoni me lahutë, si nisi lidhja juaj me këtë instrument dhe kur e kuptuat se lahuta do të bëhej pjesë e jetës suaj?

Lumturije Nonaj: Jam e vetmja lahutare që i bie lahutës dhe njëkohësisht këndoj me të. Vij nga një familje lahutarësh brez pas brezi që kur u krijua lahuta e deri më sot. Si vajza e vetme e familjes, jam rritur duke parë vëllezërit e mi, babanë, axhën tim Gjok Nonaj 107 vjeç në skenë. Duke i parë ata, tek unë lindi dëshira që ta mësoja edhe vetë. Ishte vetëm 12 vjeçe kur e mora lahutën në dorë dhe vendosa të ecja përkrah familjes sime si lahutare.

Portalb.mk: Vini nga një familje me traditë lahutarësh, sa ka ndikuar familja dhe sidomos trashëgimia e të parëve në rrugëtimin tuaj artistik?

Lumturije Nonaj: Trashëgimia e të parëve dhe familja kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë. Kjo traditë është përcjellë nga një brez te tjetri pikërisht që të mos lihet në harresë, por të ruhet dhe të trashëgohet më tej. Kam katër vëllezër, Nikollën, Luigjin, Gjetën dhe Gjovaninin. Të gjithë janë instrumentistë, këngëtarë dhe lahutarë. Secili prej tyre e ruan dhe e përcjell këtë traditë me shumë krenari.

Portalb.mk: Lahuta zakonisht është konsideruar instrument i burrave, a keni hasur paragjykime apo habi kur keni filluar të interpretoni si grua lahutare?

Lumturije Nonaj: Në të kaluarën, lahuta dhe pushka kanë qenë për burra. Por sot gruaja po zë vendin e saj në çdo fushë. E pse jo edhe te lahuta? Në fund të fundit, është një dru, një instrument. Sigurisht që ka pasur njerëz që kanë folur pas shpine. Por unë kam pasur mbështetjen e familjes, si dhe të institucioneve, veçanërisht të Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Kulturës. Në fillim habiteshin kur më shihnin me lahutë. Sot krenohen me mua. Mbaj titullin “Princesha e Lahutës” dhe përpiqem ta përfaqësoj me dinjitet këtë traditë në çdo festival kombëtar dhe ndërkombëtar, me lahutën dhe xhubletën.

Portalb.mk: Çfarë ndieni kur merrni lahutën në dorë dhe interpretoni këngë që janë përcjellë brez pas brezi? Çfarë repertori interpretoni zakonisht dhe cilat tema zënë vendin më të rëndësishëm?

Lumturije Nonaj: Kur e marr lahutën në dorë, ndiej shumë krenari. Përmes këngëve epiko-legjendare kam ndjesinë se po i jap lavdi kombit dhe po mbaj gjallë një pjesë të historisë sonë. Repertori im përbëhet kryesisht nga këngët kreshnike dhe këngët e trimërisë, të cilat janë po aq të lashta sa edhe vetë lahuta. Një vend të veçantë zënë këngët për Mujin dhe Halilin, “Muji me Zanat”, “Gjeto Basho Muji” dhe këngë të tjera të ciklit të kreshnikëve. Këndoj gjithashtu për figura dhe trima legjendarë si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Gjergj Elez Alia, Gjergj Fishta, si dhe për Nënë Terezën e personalitete të tjera që kanë lënë gjurmë në historinë tonë.

Lumturije Nonaj me një xhubletë 400-vjeçare, të punuar me dorë, një trashëgimi e çmuar e brezave. Foto nga arkivi i saj personal.

Portalb.mk: Sot të rinjtë janë shumë më afër muzikës moderne dhe teknologjisë, sa e vështirë është të ruhet interesimi i tyre për lahutën dhe këngën tradicionale?

Lumturije Nonaj: Të rinjtë dhe të rejat duhet të kenë pak më shumë dëshirë për ta njohur dhe mësuar lahutën, por kjo dëshirë duhet të nxitet edhe nga familja dhe shkolla. Familja, sipas meje, ka rolin kryesor. Ajo mund ta bëjë fëmijën kurioz dhe ta afrojë me këtë instrument të lashtë. Kudo që shkoj, në aktivitete dhe festivale kombëtare apo ndërkombëtare, e kam marr përsipër me shumë dëshirë t’ua mësoj lahutën djemve, vajzave dhe grave, kujtdo që ka interes. Kam takuar shumë të rinj me talent dhe me dëshirë të madhe për ta mësuar.

Një përvojë shumë të veçantë pata në Tetovë, ku rreth 60 artistë të rinj patën mundësinë të njiheshin me lahutën. Veçova dy prej tyre dhe, pas vetëm rreth dy orësh pune, i nxora në skenë bashkë me mua. Përgatitëm një melodi dhe u bëmë një trio. Ata shkëlqyen në skenë. Për mua ishte një moment i jashtëzakonshëm dhe dëshmi se të rinjtë, kur u jepet mundësia, e përqafojnë këtë traditë.

Portalb.mk: A mendoni se institucionet dhe shoqëria po bëjnë mjaftueshëm për ruajtjen e kësaj trashëgimie, apo ekziston rreziku që disa prej këtyre traditave të humbasin?

Lumturije Nonaj: Institucionet po bëjnë atë që munden, por kjo nuk mjafton. Duhet të bashkohemi të gjithë dhe të punojmë së bashku. Vetëm kështu mund të bëjmë që lahuta të mos zhduket. Edhe unë, si lahutare, vazhdoj me forcat e mia, me apo pa mbështetje financiare. Dua t’i falënderoj drejtuesit e festivaleve që më kanë mbështetur dhe më kanë ftuar vazhdimisht, duke më dhënë mundësinë të jem pjesë e festivaleve me lahutën time dhe ta çoj zërin e saj edhe atje ku ndoshta më parë nuk ka qenë e pranishme.

Dua të veçoj drejtuesit e festivaleve në Kosovë, në Klinë, Podujevë, Gjilan, Komoran dhe në shumë vende të tjera, si dhe në Kukaj, Prishtinë, Tetovë e Tuz. Ata më kanë përkrahur aq sa kanë mundur dhe kanë mundësuar pjesëmarrjen time në këto aktivitete. Por mendoj se duhet më shumë vëmendje edhe nga pushteti vendor në Shqipëri, sidomos në Malësinë e Madhe, ku unë jetoj. Një trashëgimi e tillë ka nevojë edhe për mbështetje financiare. Nuk mund t’ia dalësh gjithmonë vetëm dhe nuk mund të udhëtosh në festivale pa asnjë përkrahje.

Pavarësisht vështirësive, unë nuk do të ndalem. Do të vazhdoj përpara, si gjithmonë, me përkushtim dhe dashuri për lahutën, duke shpresuar në më shumë mbështetje dhe bashkëpunim.

Foto nga arkivi personal i Lumturije Nonaj

Portalb.mk: Arti i të luajturit, kënduarit dhe punimit të lahutës u përfshi në vitin 2025 në listën e UNESCO-s për trashëgiminë kulturore jomateriale që ka nevojë për mbrojtje urgjente. Çfarë do të thotë për ju ky vlerësim ndërkombëtar dhe a mund të ndihmojë që lahuta të afrohet më shumë me brezat e rinj?

Lumturije Nonaj: Përfshirja e lahutës në UNESCO është një krenari shumë e madhe. Do të thotë se kjo trashëgimi është njohur dhe vlerësuar ndërkombëtarisht. Por për mua kjo do të thotë edhe përgjegjësi. Duhet ta ruajmë, ta shijojmë dhe, mbi të gjitha, ta përcjellim brez pas brezi. Duhet të punojmë që të dalin lahutarë të rinj, që fëmijët të dëgjojnë, të mësojnë e të këndojnë, por edhe të njohin historinë dhe figurat që janë ruajtur përmes këtyre këngëve.

Që nga përfshirja e lahutës në UNESCO, jam angazhuar edhe më shumë në mësimdhënie. Tani duhet ta shtojmë punën për t’ia përcjellë këtë trashëgimi brezit të ri. Kam një dëshirë të veçantë: të çoj përpara një lahutare 12-vjeçare, pikërisht në moshën që isha edhe unë kur mora lahutën për herë të parë në dorë. Është një vajzë nga Lezha. Përveç saj, kam edhe gjashtë lahutarë të rinj, po të kësaj moshe, të cilët janë në shkollë dhe po mësojnë lahutën.

Edhe bashkëshorti im, me të cilin jam martuar së fundmi, ka shprehur dëshirën të më mbështesë që të krijojmë një klasë lahutarësh. Ka shumë të rinj që duan ta mësojnë këtë instrument. Duhet vetëm t’u krijojmë mundësinë.

Së fundmi isha në një festival në Lin të Pogradecit, ku pati një interesim shumë të madh, sidomos nga gratë dhe gazetaret. Madje, një redaktore dhe një stiliste nga Klan-i më thanë se dëshironin ta mësonin lahutën.

Edhe në Tetovë, nga të rinjtë që po mësonin, veçova dy djem shumë të talentuar dhe i mora me vete në skenë. Pas rreth dy orësh prova, dolëm dhe interpretuam së bashku. Ata janë pjesëtarë të Ansamblit Shtetëror dhe treguan se, kur ka talent dhe dëshirë, rezultatet mund të vijnë shumë shpejt.

Lahutarë të rinj mund të dalin shumë. Ajo që u mungon është mbështetja institucionale.

Barazi gjinoreGra të suksesshmeIntervistëKultura shqiptareKulturë lajmeVideo Lajme