Panoptikoni 3.0: Nën syrin e teknologjisë

“Është jeta, Jim, por jo në kuptimin që e njohim.”

Dr. McCoy nga Stat Trek

Mund të kenë kaluar 15 vite nga koha kur studentëve të shkencave politike për herë të parë ua zbërthenin utilitarizmin anglez dhe Jeremy Bentham-in, autori i një vepre me titull Panopticon; or, The Inspection-House (1791) dhe që ka lënë trashëgimi një nocion interesant që ndërlidhet fuqishëm edhe me realitetin tonë digjital dhe të IA-së. Panopticon, ky term, për të cilin në aspektin politik si mjet disiplinimi ka folur edhe Foucault, ilustron shumë mirë skandalet dhe spektaklet, shpalosjen me vetëdëshirë ose kurthet për të pushtuar, zotëruar dhe publicizuar segmente të jetës “sekrete” të tjetrit. Sociologjikisht mund të ndërlidhet edhe me lojërat me trupin e njeriut që sot është bërë objekt survejimi, shantazhi dhe komercializimi.

Në kohën e vet Bentham-i projektoi një burg në formë rrethore, me qelitë të vendosura përgjatë perimetrit dhe një kullë vëzhgimi në qendër, nga e cila mbikëqyrësi mund t’i vëzhgojë të burgosurit, ndërsa ata nuk mund ta dinë nëse po vëzhgohen në një moment të caktuar. Panopticon-i i Benthamit është një institucion që lejon “vizibilitet të vazhdueshëm” e ky vizibilitet i maksimizuar përmes teknologjisë informatike tek na bën të gjithëve të cenueshëm.

Nëpërmjet këtij instrumenti që në esencë imagjinohej të ishte në duart e shtetit e sot është disperzuar, secili ka mundësi për të ndjekur, observuar e përgjuar tjetrin, është bërë ankth për çdo njeri. Shpesh mund të jetë deprimues për njeriun edhe kur regjistrohet nga të tjerët edhe kur vetëreklamohet. Dikur ishte projektuar për t’i mbajtur në hulli ose për t’i disiplinonuar qytetarët, ndërsa sot secili është bërë sy që sheh gjithçka (all-seeing eye) (Laval, 2012), që depërton atje ku syri natyral nuk mund të futet. Maksimizimi i akcesit të këtij syri është edhe mirë edhe keq. Është mirë sepse i ndërgjegjëson njerëzit, mbjell te ata bindjen „kejt po mdoket se dikush po na kshyrë“, se nuk ka hapësirë ku ata janë të sigurt 100%-shëm nga vizibiliteti, se duhet të jetojnë me bindjen se dikush mund t’i ndjekë ngado që të sillen, çkadoqë bëjnë.

Sot, në epokën e asaj që Shoshanna Zuboff e ka quajtur “surveillance capitalism”, nuk vëzhgohen vetëm shkollat, spitalet, fabrikat, kazermat dhe zyrat, ku ekzaminimi, klasifikimi dhe normalizimi i nxisin individët ta rregullojnë vetë sjelljen e tyre. Vëzhgohemi përmes celularëve e kompjuterëve tanë, madje edhe përmes TV aparateve si “panoptikonë të informacionit”. Ka mundësi që të jenë të vëzhguar si të paturpshmit, ashtu edhe ata që kanë sedër e mirëveti. Syri që sheh gjithçka nuk nxjerr në pah vetëm të palarat e të prishurve, por u hyn në zonën e ndaluar edhe të njerëzishmive dhe atyre që jetojnë moralisht.

Epoka e teknologjive informatik ka krijuar një gjendje traumatike dhe psiko-patologjike. Askush nuk është i sigurt më. Në kohën e survejimit të mundësuar nga inteligjenca artificiale (AI-enabled surveillance), mund të mos ketë një vëzhgues të vetëm qendror; mbikëqyrja mund të jetë e shpërndarë ndërmjet platformave, algoritmeve, kamerave, telefonave inteligjentë, sistemeve të të dhënave dhe vetë përdoruesve. Në rrafshin e mediave sociale, edhe më keq, çdo klikim dhe çdo milimetër surfimi regjistrohet dhe algoritmohet.

Në kontekstin e “big brother” shoqërisë, meqenëse individët nuk mund ta dinë nëse po vëzhgohen në një moment të caktuar, ata fillojnë ta mbikëqyrin dhe të disiplinojnë vetveten. Panoptikoni përfaqëson një kalim nga ndëshkimi i dukshëm drejt mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe vetëdisiplinimit. Rëndësia e tij thelbësore nuk qëndron thjesht te prania e dikujt që vëzhgon, por te ndërgjegjësimi për mundësinë e të qenit nën vëzhgim. Kështu, panoptizmi përbën një formë pushteti, në të cilën individët marrin pjesë në rregullimin e vetvetes, duke e përshtatur sjelljen e tyre me normat institucionale dhe përtej. Disa këtë e kanë quajtur edhe vetë-policim (self-policing), vetë-censurim (self-censorship) dhe vetërregullim (self-regulation).Panoptikoni, cili siç shprehet McCoy nuk është më si klasiku, , kemi kaluar nga ai i Jeremy Bentham-it, te konceptualizimi i mbikëqyrjes dhe disiplinës te Michel Foucault, dhe sot, te një formë katërcipërisht e re e survejimit digjital, e fuqizuar nga algoritmet, inteligjenca artificiale dhe platformat sociale.

Ai mund të lidhet edhe me religjiozen: Zoti është gjithkund dhe syrit të tij s’i ik e s’i shmanget asgjë, asnjë imtësirë e veprave tona. Dallimi qëndron në atë se doktrina teologjike thotë se Zoti sheh por nuk shpalos, nuk diskrediton, ndërsa njeriu kur ka shtie në dorë një mekanizëm për të parë të palarat e tjetrit, e shfrytëzon atë si kartë për të zhvlerësuar para opinionit publik atë që e ka në shënjestër. E keqja e „syrit teknologjik që sheh dhe regjistron gjithçka“ është se nuk ka vijë morale, se nuk degradon vetëm shkelësit e normave juridike dhe etikës, por edhe njerëzit e ndershëm, pra mund t’ua shpalosë zonën e ndaluar të diskrecionit, intimitetit dhe të privatësisë që është e shenjtë, e paprekshme. Njeriu duhet ta dijë se nëse nuk e sheh syri i teknologjisë, e sheh ai i Perëndisë. Bibla dhe Kur’ani thonë: “Sytë e Zotit janë në çdo vend” (Fjalët e Urta 15:3); “Ai është me ju kudo që të jeni. Zoti sheh gjithçka që ju bëni.” (Hadid, 4)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Ali PajazitiKolumnat e Portalbit