Sali: Zbatimi i Agjendës së Reformave është investim në besimin e qytetarëve dhe në të ardhmen tonë evropiane

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot theksoi se përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon zbatimin e reformave dhe rezultate që qytetarët do t’i ndiejnë në jetën e tyre të përditshme, transmeton Portalb.mk.

“Përparimi drejt Bashkimit Evropian kërkon reforma që zbatohen dhe rezultate që qytetarët i ndiejnë në jetën e përditshme”, shkroi Sali në një postim në Facebook, pas takimit në Qeveri, të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, kushtuar Agjendës së Reformave.

Ai bëri të ditur se në takimin e sotëm, kushtuar Agjendës së Reformave, u shqyrtuan aktivitetet aktuale, prioritetet dhe dinamika e zbatimit të masave të parapara.

“Është përgjegjësia jonë që çdo institucion t’i përmbushë obligimet e veta në kohë, me qëllime të qarta dhe koordinim të vazhdueshëm”, theksoi Sali.

Sipas tij, Ministria për Çështje Evropiane mbetet e përkushtuar në realizimin e rezultateve të matshme përmes institucioneve më efikase, sundimit të ligjit dhe kushteve më të mira për zhvillim ekonomik.

“Përmbushja e Agjendës së Reformave është investim në besimin e qytetarëve dhe në të ardhmen tonë evropiane”, thekson zëvendëskryeministri Sali.

Kujtojmë se, më 4 nëntor Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit të vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në. Raporti evidenton ngecje dhe mungesë progresi në disa fusha kyçe në Maqedoninë e Veriut. Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar asnjë përparim, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz. Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal nuk i kanë adresuar në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë shtuar pasigurinë juridike. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë.

Agjenda ReformueseBekim SaliEurointegrime Negociata RMV-BERaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë