Sali: Garantojmë se Ligji për përfaqësim do të respektohet dhe do të zbatohet

 Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se garantojnë që Ligji për përfaqësim të drejtë do të respektohet, pavarësisht se propozimi nuk parasheh masa ndëshkuese. Ai shtoi se ligji do të shoqërohet me mekanizma konkretë për implementim, përmes akteve nënligjore që do të miratohen sipas nevojës në të ardhmen, transmeton Portalb.mk.

“Jemi garantues se ligji për përfaqësim të drejtë do të respektohet dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të implementohet në sistemin administrativ të këtij shteti. Natyrisht ligji parasheh formimin ose krijimin e akteve nënligjore, me të cilat në raste të nevojës do të mund të miratohen dhe në bazë të asaj të veprohet në të ardhmen. E dini se në ligj është paraparë formimi i një trupi koordinativ, të cilin do ta udhëheqë zv.kryeministri i parë i qeverisë dhe aty do të jenë të kyçur edhe më tepër ministra. Kështu që niveli më i lartë i udhëheqësisë shtetërore do të jetë i kyçur në implementimin e kësaj politike. Kështu që mbetet pas miratimit të ligjit ta ndjekim dhe të përcjellim se si do të zhvillohet politika e tillë”, tha Sali.

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk është dorëzuar për shqyrtim para deputetëve. Kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se sapo të arrijë, do t’i respektojnë afatet e rregullores dhe do ta vendosë në seancë të rregullt plenare. Nuk është e qartë përse zvarritet procedura pasi ligji për përfaqësim, në Qeveri u miratua më 7 prill.

“Lidhur me propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, ju informojmë se i njëjti është miratuar në seancë qeveritare ndërsa procedurat qeveritare po zhvillohen pa pengesa. Në momentin kur do të gjendet para deputetëve në Kuvend, opinioni do të informohet”, deklaruan nga Qeveria.

Pushteti nuk tregon nëse ka siguruar badenterin në kuvend pasi ky ligj duhet të miratohet me shumicë të dyfishtë. Opozita shqiptare nuk jep sinjale se do ta mbështesë ligjin. Nga BDI së fundmi paralajmëruan edhe amendamente pasi vlerësojnë se ligji nuk është i plotë derisa nuk ka sanksione për ata që nuk respektojnë ligjin dhe se mungon deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve.

Propozim-Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pretendon rregullimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në administratë. Respektimin e përfaqësimit do ta ndjekë Trupi koordinues në kuadër të Qeverisë. Ligji nuk parashikon sanksione për shkelësit e dispozitave, por masa politike të cilat duhet të precizohen përmes akteve nënligjore 6 muaj pas miratimit.

Në vendin tonë gati dy vite nuk kemi zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Bekim SaliLigji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiVLEN koalicioni