Banka Popullore në RMV do të shpërblejë me 60 mijë denarë videon më të mirë

Fituesi i garës “Çfarë do të thotë Banka Popullore për mua?” do të marrë shpërblim 60 mijë denarë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut. Konkursi do të realizohet me rastin e 80 vjetorit të Bankës Popullore, transmeton Portalb.mk.

“Me rastin e 80 viteve të bankës qendrore në vendin tonë, Banka Popullore shpall Konkurs për përzgjedhjen e materialit më të mirë video të publikuar në rrjetet sociale, me temë “Çfarë do të thotë Banka Popullore për mua?”, me hashtagun #МојатаНБ. Për autorin e video materialit më të mirë është parashikuar çmim në para prej 60.000 denarësh, neto, ndërsa tatimin mbi të ardhurat personale do ta mbulojë Banka Popullore”, raportoi Banka.

Në konkurs kërkohet që përmes videos të paraqitet roli i Bankës në përditshmërinë e qytetarëve, duke lidhur shumë aspekte të punës. Të interesuarit mund të marrin pjesë me maksimum pesë video materiale, me një kohëzgjatje deri në tre minuta, në gjuhën maqedonase ose shqipe.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 31 tetor.

 

 

 

Banka Popullore e RMVInternetiTë rinj - Rini - Rinia