Gjiri i harruar: Kur skriningu ekziston në letër, por jo ende në jetën e grave

Shkruan: Argjend Imeri, radiolog

Kanceri i gjirit nuk pret që sistemi shëndetësor të organizohet. Një grua mund të ndihet krejtësisht mirë ndërkohë që një tumor i vogël rritet në heshtje. Në këtë fazë ai mund të mos preket me dorë dhe të mos japë asnjë simptomë. Por mund të shihet në mamografi. Pikërisht këtu qëndron kuptimi i skriningut: jo të diagnostikojë sëmundjen pasi ajo të bëhet e dukshme, por ta zbulojë përpara se të ketë kohë të bëhet më e rrezikshme. Kjo nuk është më një ide e re. Suedia e provoi në praktikë që në fund të viteve 1970. Sprova e Dy Krahinave, e lidhur ngushtë me punën e László Tabár dhe kolegëve të tij, përfshiu mbi 130,000 gra. Rezultatet treguan se ftesa sistematike për mamografi ul vdekshmërinë nga kanceri i gjirit. Ndjekja për dekada tregoi se përfitimi nuk ishte kalimtar. Evropa ndërtoi mbi këtë përvojë. Vendet me programet më të suksesshme nuk presin që gratë të kujtohen vetë për mamografinë. Ato identifikojnë popullsinë e synuar, dërgojnë ftesa, caktojnë intervale të rregullta, monitorojnë pjesëmarrjen dhe sigurohen që një rezultat i dyshimtë të mos humbasë në rrugën nga radiologjia te biopsia dhe trajtimi. Maqedonia e Veriut e nisi programin kombëtar të skriningut të kancerit të gjirit në vitin 2015. Ishte një hap në drejtimin e duhur. Por një program nuk vlerësohet nga data kur është shpallur. Vlerësohet nga numri i grave që arrin. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, gjatë viteve 2021–2024 mbulimi i popullsisë së synuar me skrining mamografik lëvizi vetëm ndërmjet 0.8% dhe 5.4%. Në disa vende evropiane me programe të konsoliduara, pjesëmarrja kalon 80%. Diferenca është aq e madhe sa nuk mund të shpjegohet vetëm me numrin e mamografëve apo me kapacitetet e radiologjisë. Pajisjet janë të rëndësishme, por pajisja vetë nuk fton askënd për kontroll. Ajo nuk e kujton gruan pas dy vjetësh. Nuk e lidh rezultatin e dyshimtë me biopsinë. Nuk kontrollon nëse pacientja është diagnostikuar dhe trajtuar në kohë. Këtë e bën organizimi.

Nga kontrolli rastësor te skriningu i vërtetë

Në shumë vende të rajonit, fjala “skrining” përdoret lirshëm. Një grua dëgjon një fushatë në televizion, telefonon vetë, kërkon një termin dhe kryen mamografi. Kjo është e dobishme. Por nuk është e njëjta gjë me një program të organizuar kombëtar. Skriningu i vërtetë fillon me një listë të qartë të grave që duhet të kontrollohen. Secila prej tyre duhet të marrë ftesë personale. Nëse nuk paraqitet, duhet të marrë rikujtim. Rezultati duhet të jepet brenda një afati të përcaktuar. Nëse mamografia është e dyshimtë, ekzaminimet shtesë duhet të organizohen pa humbur javë mes termineve dhe institucioneve. Dhe, mbi të gjitha, sistemi duhet të dijë çfarë ndodhi në fund. Pa këtë zinxhir nuk kemi një program; kemi një varg ekzaminimesh të veçuara. Për politikën shëndetësore kjo duhet të jetë pika e nisjes. Nuk është e nevojshme të shpiket një model i ri. Modelet ekzistojnë dhe funksionojnë prej dekadash. Ftesa aktive duhet të zëvendësojë pritjen pasive. Gruaja nuk duhet të mbajë vetë gjithë barrën e kujtesës dhe organizimit. Një sistem që e njeh popullsinë e vet mund dhe duhet ta ftojë atë.

Duhet një regjistër funksional dhe i integruar. Nga ftesa te mamografia, nga gjetja e dyshimtë te biopsia dhe nga diagnoza te trajtimi. Jo vetëm për statistikë, por që asnjë paciente të mos humbasë në sistem. Duhet të përcaktohen afate të matshme. Sa ditë nga mamografia te rezultati? Sa nga rezultati i dyshimtë te ekografia apo biopsia? Sa nga diagnoza te fillimi i trajtimit? Çfarë nuk matet, rrallë përmirësohet.

Duhet të zhvillohen qendra të koordinuara të gjirit. Për një grua me gjetje të dyshimtë, rruga ideale nuk duhet të jetë një seri dyersh të ndryshme. Mamografia, ekografia, biopsia dhe vlerësimi multidisiplinar duhet të jenë pjesë e një sistemi të vetëm dhe sa më të shpejtë. Duhet financim i qëndrueshëm. Skriningu nuk mund të jetë projekt sezonal që bëhet më i dukshëm në tetor dhe harrohet në muajt e tjerë. Kanceri nuk ka muaj sensibilizimi. Ai shfaqet çdo ditë të vitit.

Skriningu nuk është vetëm shpenzim

Në diskutimet mbi shëndetësinë preventive shpesh pyetet: sa do të kushtojë? Pyetja tjetër bëhet më rrallë: sa kushton të mos e bëjmë? Një kancer i zbuluar herët zakonisht kërkon më pak trajtim sesa një tumor i zbuluar pasi është përhapur në nyjet limfatike apo në organe të tjera. Operacionet mund të jenë më të kufizuara. Nevoja për terapi sistemike mund të jetë më e vogël. Qëndrimi në spital është më i shkurtër. Gruaja kthehet më shpejt në familje dhe në punë.

Kanceri i avancuar prodhon faturën e kundërt: kirurgji më komplekse, kimioterapi, terapi të synuara, trajtime të zgjatura, kontrolle të shpeshta dhe, në sëmundjen metastatike, vite trajtimi kronik. Prandaj skriningu nuk duhet parë si një luks i sistemeve të pasura. Ai është edhe një mënyrë për të përdorur më mirë burimet e kufizuara. Një euro e shpenzuar për një mamografi nuk kursen automatikisht një euro trajtimi. Mjekësia nuk është aq e thjeshtë. Por në nivel popullate, zhvendosja e diagnozës nga stadet e vona drejt stadeve të hershme është një nga mënyrat më të arsyeshme për të reduktuar njëkohësisht vuajtjen dhe barrën ekonomike të kancerit.

Edhe publiku ka një rol

As programi më i mirë nuk funksionon nëse ftesat mbeten të pahapura. Ndërgjegjësimi nuk duhet të mbështetet vetëm në frikë. Mesazhi për gratë duhet të jetë më i thjeshtë: mamografia nuk bëhet sepse mendon se ke kancer. Bëhet pikërisht kur nuk ke simptoma. Një gungë, tërheqja e lëkurës ose thithkës, sekrecioni me gjak apo ndryshimi i formës së gjirit kërkojnë vlerësim diagnostik dhe nuk duhet të presin raundin e ardhshëm të skriningut. Por mungesa e këtyre shenjave nuk është arsye për të anashkaluar kontrollin periodik.

Në këtë pikë duhet të ndihmojnë mjekët familjarë, gjinekologët, radiologët, organizatat e pacientëve dhe mediat. Jo me slogane alarmiste, por me një mesazh të përsëritur dhe të kuptueshëm: zbulimi i hershëm ndryshon trajtimin dhe shpesh ndryshon edhe prognozën.

Një tjetër pengesë është frika nga vetë rezultati. Disa gra e shtyjnë mamografinë sepse kanë frikë se mos zbulohet diçka.  Por sëmundja nuk bëhet më e rrezikshme sepse e zbulojmë. Bëhet më e rrezikshme kur i japim kohë të rritet pa e zbuluar. Mamografia nuk krijon diagnozën. Vetëm e zbulon atë më herët. Një çështje administrimi — dhe një çështje njerëzore.  Në dokumentet shtetërore, skriningu përshkruhet me tregues: mbulim, incidencë, mortalitet, intervale, përqindje pjesëmarrjeje. Pas secilit prej tyre është një njeri. Është gruaja që do të kishte nevojë vetëm për një operacion të vogël në vend të muajve me trajtime. Është familja që nuk duhet ta organizojë jetën rreth cikleve të kimioterapisë. Është fëmija që e ka nënën pranë. Është një vit pune që nuk humbet, një ditëlindje që festohet, një jetë që vazhdon me më pak frikë.

KanceriKanceri i gjiritNa Shkruani