Nëse Kuvendi i miraton ndryshimet kushtetuese, synimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në brenda së njëjtës ditë dhe të hapë grupkapitullin e parë – “Themeloret”, thotë euroambasadori Mihalis Rokas në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1. Që të dy konferencat të mbahen njëra pas tjetrës, deri atëherë duhet të përfundojnë dy udhërrëfyes dhe një plan veprimi, si dhe të merret miratimi i vendeve anëtare të BE-së, transmeton Portalb.mk.
“Synimi ynë është që, sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese, të mbahen dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, brenda së njëjtës ditë. Me të parën do të përmbyllej hapja e negociatave të anëtarësimit, ndërsa me të dytën do të hapej grupkapitulli ‘Themeloret’. Ky është synimi ynë. Kohën deri në miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend mund ta shfrytëzojmë për të punuar në këto tri dokumente dhe të jemi të gatshëm për të vazhduar më tej”, thotë Rokas.
Grupkapitulli “Themeloret”, i cili përfshin sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Për hapjen e tij nevojiten udhërrëfyesi për reformën e administratës publike dhe udhërrëfyesi për sundimin e ligjit, me të cilin lidhet edhe Plani i Veprimit për Pakicat, shpjegon euroambasadori.
I pyetur nëse të tria dokumentet tashmë mund të konsiderohen si punë e përfunduar, Rokas thotë se më së largu ka përparuar puna për udhërrëfyesin për administratën publike.
“Ende nuk janë përfunduar. Por udhërrëfyesi për administratën publike është pothuajse gati. Mendoj se praktikisht është përfunduar. Për dy dokumentet e tjera ende po punohet, por, aq sa di unë, konsultimet po zhvillohen mirë dhe ekziston vullnet që ato të përfundojnë shumë shpejt”, thotë ai.
Rokas nuk konfirmon se vetëm Bullgaria është kundër Planit të Veprimit për Pakicat
I pyetur nëse Bullgaria është i vetmi vend anëtar i BE-së që kundërshton Planin e Veprimit për Pakicat, Rokas u përgjigj se nuk do të donte të spekulonte. Ai vlerësoi konsultimet mes Shkupit dhe Sofjes.
“Aq sa di unë, dhe mendoj se kjo është e qartë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tashmë po zhvillohen konsultime. Ato janë në vijim dhe kanë karakter të përgjithshëm, nuk zhvillohen konkretisht për këtë çështje. Mendoj se kjo duhet përshëndetur. Ky shkëmbim ndihmon në një mirëkuptim më të mirë të ndërsjellë dhe në ndërtimin e besimit”, thotë Rokas.
Në pyetjen shtesë nëse dëshiron të thotë se ka edhe kontakte të tjera pas takimit të Mucunskiut dhe Petrovës-Çamovës në Sofje, euroambasadori sqaroi se po u referohet raportimeve në media.
“Po përcjell atë që thuhet në media – se konsultimet janë në vijim. Jam mjaft i sigurt se kur palët të jenë të gatshme të njoftojnë diçka, do ta bëjnë këtë”, tha Rokas.
Sipas tij, BE-ja e mbështet dialogun mes dy vendeve fqinje, ndërsa shërbimet evropiane janë të gatshme të përfshihen nëse këtë e kërkojnë edhe Shkupi, edhe Sofja.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Këto janë detyrat dhe përfitimet që e presin Maqedoninë e Veriut në procesin eurointegrues, sipas Kos
- LEXO: Progresi ju nevojitet, pavarësisht nëse dëshironi t’i bashkoheni BE-së një ditë apo jo, porositi Weitz nga Shkupi
- LEXO: Weitz në Kuvend: Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm kusht për BE-në, por investim në të ardhmen e shtetit